Borxhet e organizatave buxhetore ndaj Thesarit, 165 milionë euro

Vlera e borxheve të krijuara nga organizatat buxhetore gjatë vitit të kaluar është 165 milionë euro dhe kjo mos shlyerje obligimesh është shqetësuese edhe për ministrin e Financave, Avdullah Hoti.

Lajme

22/04/2015 19:49

Për këtë arsye Qeveria ka marrë masa që asnjë organizatë buxhetore të mos mund të krijojë shpenzime në rast se ato nuk janë të reflektuara në buxhet, tha Hoti.

Hoti këtë shqetësim dhe njoftim e ka paraqitur para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, gjatë shqyrtimit të raportit financiar vjetor të buxhetit të Kosovës për vitin 2014.

“Këto obligime janë vërtet shqetësuese, unë e kam ngritur edhe në Qeveri dhe kemi marrë masa tash, ato që ju thash edhe më herët: që asnjë organizatë buxhetore nuk mund të krijojë shpenzime në rast se nuk janë të reflektuara në buxhet. Asnjë tender nuk mund të hapet nga Komisioni Rregullator i Prokurimit Publik nëse nuk merret miratimi prej Thesarit dhe prej buxhetit që mban mjetet. Duke hyrë në marrëdhënie kontraktuese organizatat buxhetore pa pasur zotim të mjeteve… totali është 165 milionë euro”, tha Hoti.

Komisioni e ka miratuar raportin vjetor të shpenzimeve të Qeverisë për vitin 2014. Po ashtu, ky komision sot e ka shqyrtuar edhe raportin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ku për një vendim të kësaj të fundit anëtarët e komisionit kanë pasur shumë vërejtje.

Deputetët e Komisionit kanë kërkuar të dinë arsyen pse ZRRE ka marrë vendim për t’i liruar të licencuarit nga obligimi i pagesës së taksës vjetore. Kështu, sipas raportit, të licencuarit janë liruar nga pagesa e taksave në shumën e përgjithshme prej 539,888.80 euro dhe është liruar nga kjo taksë edhe KEDS gjatë importit që e ka bërë . Ky vendim ka vlejtur për periudhën kohore prill-tetor 2014.

Kjo ka nxitur debat në Komision. Naser Osmani, kryetar i këtij komisioni, ka pyetur përfaqësuesit e ZRRE-së se ku janë mjetet e inkasuara nga taksat e të licencuarave.

Ejup Hasoli, përfaqësues i ZRRE-së, u mundua t’i bindë deputetët se me gjasë janë keqkuptuar.

“Është një keqkuptim këtu”, tha Hasolli, i cili tregoi se të gjithë prodhuesit e energjisë janë liruar nga obligimi i pagesës së taksës vjetore, ndërsa KEDS është liruar nga kjo taksë në rastin e importit të rrymës elektrike.

Ndërkaq. deputeti Latif Gashi ka pyetur se a ka qenë kjo kërkesë e të licencuarve.

Hasolli u përgjigj se kjo ka reflektuar tek qytetarët, por me shuma shumë të vogla, në centë. Ndërsa, sipas tij, janë liruar të gjithë nga kjo taksë, por jo edhe për taksën fillestare./KosovaPress/