Borë në Prishtinë

Bora ka filluar të bjerë me shpejtësi në Prishtinë, por gjysmë orë më pas, intensiteti i saj është zvogëluar. Si e parashikon motin për ditët e ardhshme Instituti Hidro- Meteorologjik i Kosovës?

Lajme

28/01/2014 17:57

Në orët e para të mbrëmjes së të martës, Prishtina është mbuluar nga një shtresë e hollë bore pas një dimri të thatë dhe pa të reshura që ka ngritur shqetësime ndër banorët e Kryeqytetit për furnizim me ujë gjatë verës.

Bora ka filluar të bjerë me shpejtësi, por gjysmë orë më pas intensiteti i saj është zvogëluar.

Instituti Hidro-Meteorologjik thotë se sot mbi Kosovë ka mbajtur mot i vranët dhe vende-vende me reshje te dobëta bore.

“Temperatura më e ulët u shënua -8 gradë, kurse më e larta e ditës ka arritur në 1 gradë celsius. Shtypja e ajrit është luhatur në kufijtë 926mb në 930milibar, lagështia relative e ajrit në mëngjes ishte 88%, gjatë ditës ka zbritur në 85%, dukshmëria horizontale nga 1km në 9 kilometra. Ka fryrë erë e lehtë nga ana e veriut dhe verilindjes me shpejtësi 1m/s-3m/s.”

“Sipas gjendjes sinoptike dhe elementeve meteorologjike të regjistruara në rrjetin meteorologjik të Kosovës, Kosova ndodhet nën fushën ciklonike e cila do të kushtëzojë një mot të vranët  dhe me reshje bore të cilat vende-vende do të jenë më të theksuara. Vlera minimale e temperaturës  do të luhatet nga -5C në -3C, ndërsa më e larta e ditës do të arrijë në 2 gradë. Do të fryjë erë nga jugu dhe juglindja.”

“Edhe tri ditët tjera të javës priten të jenë me vranësira të çrregullta dhe me pak intervale kohore me diell. Era do të fryjë nga lindja dhe juglindja. Fundjava do të jetë me reshje”, thotë IHMK .

Fotoreporteri i lajmi.net, Petrit Rrahmani, sjell disa fotografi nga rrugët e Prishtinës nën fjollat e borës.