Bordi i RTK-së deklaron se s’ka para për të paguar qira

Pasi AKP-ja kërkoi që RTK-ja t’i paguajë qira, bordi i televizionit publik thotë se një linjë të tillë buxhetore duhet ta aprovojë Kuvendi. Letra e Agjencisë Kosovare të Privatizimit dërguar dje RTK-së në të cilën ky televizion paralajmërohet që nëse nuk hyn në marrëdhënie kontraktuale të qirasë me këtë agjenci, duhet t’i lëshojë objektet që shfrytëzon për 5 ditë, ka nxitur reagime të bordit dhe dy sindikatave të televizionit publik.

Lajme

24/05/2016 19:23

 

Bordi i RTK-së vendimin e AKP-së e konsideron të ngutshëm.

“RTK përballet me vështirësi financiare dhe për këtë arsye në Kuvendin e Kosovës po diskutohen mënyrat më të mira për gjetjen e financimit të RTK-së, prandaj vendimi i AKP-së vetëm sa e vështirëson edhe më tepër gjendjen financiare në Transmetuesin Publik,” thuhet në reagimin e bordit.

Bordi thotë se është për zbatimin e ligjit, por nuk ka linjë buxhetore për pagesë qiraje.

“Vendimi i AKP-së është i pamundshëm të zbatohet për shkak se transmetuesi publik nuk ka linjë buxhetore për pagesën e qirasë. Buxheti i RTK-së është pjesë e buxhetit të Kosovës për vitin 2016 dhe si i tillë, linja buxhetore për qira duhet fillimisht të aprovohet nga Kuvendi,” thuhet në reagimin e bordit.

Agjencia e Privatizimit në letrën e djeshme, RTK-në e konsideroi uzurpator, raporton kallxo.com.

“Asetet e Ndërmarrjes Shoqërore ‘Radio Televizioni i Prishtinës’ janë duke u shfrytëzuar aktualisht nga RTK-ja. Sipas të dhënave në dispozicion të AKP-së evidentohen në pronësi të Ndërmarrjes Shoqërore të RTP-së. Kjo nënkupton se shfrytëzimi pa bazë ligjore nga ana e RTK-së i aseteve në çfarëdo forme paraqet posedim të paligjshëm apo uzurpim,” thuhet në letrën e AKP-së.

Në reagimin e bordit të RTK-së kërkohet që televizioni të ketë pronat e tij, pasi i meriton.

“Bordi i RTK-së është i përkushtuar që të respektojë të gjitha vendimet e institucioneve shtetërore, por RTK si institucion publik, ngjashëm me të gjitha institucionet tjera, meriton të ketë një pronë dhe një objekt ku do të ushtrojë veprimtarinë sipas ligjit, duke pasur parasysh interesin më të lartë të opinionit publik,” vijon reagimi i bordit.

Radio-Televizioni i Prishtinës funksionoi si televizion i themeluar nga Kuvendi i Kosovës deri më 5 korrik 1990, kur forcat e atëhershme policore serbe ndërhynë duke larguar nga puna punëtorët.

Pas luftës në objektet që deri në vitin 1990 ekzistonte RTP-ja, u vendosën punonjësit e RTK-së.

Ish-punëtorët e RTP-së disa herë kanë protestuar duke thënë se nuk janë marrë në punë në televizionin e ri publik.

Letra e AKP-së nxiti edhe reagimin e dy sindikatave të RTK-së.

Sindikata e Pavarur e RTK-së letrën e AKP-së e konsideron ultimatum.

“Sindikata e Pavarur e RTK-së reagon ashpër ndaj ultimatumit të AKP-së për dëbim me forcë të të punësuarve të RTK-së nga objekti ku ushtrojnë veprimtarinë e vet. Ky veprim skandaloz dhe fyes ndaj transmetuesit publik është  presion në misionin e tij për informim të qytetarëve, komponentë kjo themelore e çdo demokracie në botë,” thuhet në reagimin e SPRTK-së.

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së njoftimin e AKP-së për largim me dhunë brenda pesë ditësh e krahason me ndërhyrjen e dikurshme në RTP.

“Sindikata e Punëtorëve e RTK-së e sheh shqetësues, skandaloz dhe të papranueshëm faktin kur AKP-ja në letrën e saj përmend largimin me forcë duke përmendur këtu Policinë e Kosovës për largimin e punëtorëve të RTK-së nga objektet, duke i ngjasuar largimit të mëhershëm që u ka bërë shteti serb ish-kolegëve të RTP-së,” thuhet në reagimin e SPERTK-së.