Bordi i AKP-së miraton shpërndarjen e përkohshme të pesë ndërmarrjeve në likuidim

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka mbajtur mbledhjen e tij të rregullt me ç’rast ka miratuar shpërndarjen e përkohshme të pesë ndërmarrjeve në likuidim: Imkos, Germia,Teka Komerc, I.M.B. Mulliri dhe NGLB në shumën prej: 1,642,889.31 (një milion e gjashtëqind e dyzet e dy mijë e tetëqind e tetëdhjetë e nëntë euro e 31 cent)

Lajme

06/07/2017 11:10

Në këtë mbledhje Bordi i Drejtorëve miratoi listën e Shitjes së Aseteve 35 si dhe depozitat e tyre. Veç kësaj, pas një shqyrtimi dhe analizimi të thukët, Bordi miratoi edhe buxhetin e Agjencisë për vitin 2018. Më kërkesë të Bordit të Drejtorëve, BSPK ka përgatitur një raport lidhur me kërkesat e Bordit të mbledhjeve të datave 31 gusht dhe 23/30 nëntor të vitit 2016, i cili ishte i natyrës informative lidhur me çështjet e shpërndarjes së 20%.

Ndryshim/plotësimi i aktit themelues të Agjencisë gjithashtu është miratuar në këtë mbledhje të Bordit, ndërkaq si pika të rendit të ditës kanë qenë edhe shqyrtimet e raporteve të Komisioneve për përcaktimin/vlerësimin e çmimit të tregut për qiradhënie të aseteve të NSH-ve, si dhe raportet e qiradhënies së aseteve përmes shpalljeve publike të muajit qershor 2017, të cilat u miratuan.

Në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese KI132/15, Bordi ka marrë vendim të largoi nga procesi i likuidimit dhe shitjes së aseteve të NSH Apiko dhe Ndërmarrja Hoteliere Turistike Iliria – Deçan, ndërmarrje këto që preken nga vendimi i lartpërmendur.

Bordi shqyrtoi raportin e Komisionit të Banesave me ç’rast miratoi shitjen e njëzet e dy banesave, ndërsa sa i përket kërkesave për privatizim të banesave të Trepça SHA, Bordi pezulloi shqyrtimin e tyre deri në përcaktimin përfundimtar të statusit të saj.