Borchardt nuk u përjashtua nga puna

Nuk i ka përfunduar kontrata në Kosovë, por shefi i deritashëm i misionit EULEX, Bernd Borchardt, është larguar nga Kosova me arsyetimin zyrtarë se e ka gjetur një punë tjetër në Gjermani.

Lajme

03/10/2014 19:27

Ky është arsyetimi zyrtarëve për informim të këtij misioni, përderisa mediat në Beograd, në një shkrim të zgjeruar rreth largimit të gjermanit nga Kosova, japin detaje të tjera që kanë shtyrë atë ta lëshojë misionin.

“Z. Bernd Borchard, ish-shefi i misionit EULEX, është larguar për të filluar një punë tjetër në Gjermani. Ne nuk mund të komentojmë në lidhje me detajet tjera rreth personave të stafit të misionit”, ka thënë për Zëri, zëdhënësja e misionit EULEX, Dragana Nikoliq Solomon.

Borchard është larguar nga Kosova para më shumë se një jave. Në vend të tij, pozitën e shefit të misionit është duke e ushtruar zëvendësja e tij. Këshilli i Europës ende zyrtarisht nuk e ka zgjedhur zëvendësuesin e tij, ngase procedura e largimit të Borchardt ka qenë shumë e shpejtë.

Ndërkohë disa ditë më parë mediat serbe kishin raportuar se shefi i misionit të EULEX-it, Bernd Borhardt, për shkak të shkeljes së rregullave dhe procedurave dhe lidhjes me një agjente sekrete nga Shqipëria, është larguar nga detyra e tij në Kosovë. Largimin e tij nga misioni, sipas mediave serbe, e ka kërkuar vet shteti gjerman. /Zeri/