Bora “ngrinë” komunarët, rrugët akull!

Nuk ka rënë gjithë ajo borë, por nëpër rrugët dhe trotuaret e kryeqytetit, madje edhe nëpër Qendër, e të mos flasim për lagje të tjera të Prishtinës, qarkullimi i qytetarëve që prej katër ditësh është bërë shumë i vështirë dhe me rrezik.

Lajme

31/12/2014 11:12

Shumica e rrugëve janë të rrëshqitshme sidomos në mëngjes, në orët e mbrëmjes dhe gjatë natës. Ato janë pastruar njëherë, keq, pasi bora që ka mbetur mbi asfalt, e bërë “qull” nga ajo pak kripë e hedhur, është “shndërruar” në shtresa akulli.

Shumica e shoferëve gjatë po devijojnë rrugët e pjerrëta që shkojnë në drejtim të lagjeve si Bregu i Diellit apo Arbëri, që të mos hasin në vështirësi për të arritur në destinacion, si pasojë e rrugëve të rrëshqitshme, por edhe të mungesës së pajisjeve dimërore për veturat e tyre.           

Qarkullimi është bërë i vështirë edhe për këmbësorët, pasi trotuaret janë kryesisht të papastruara. Bora e shkelur mbi trotuare po krijon vështirësi në ecje dhe rrezik për thyerje këmbësh a duarsh.      

Sot paradite nuk kanë qenë të pastruara ashtu si do të duhej as sheshet në Qendër, ku pas pak orësh do të fillojnë aktivitetet festive për pritjen e Vitit të Ri 2015.  

Se kompanitë e angazhuara për mirëmbajtjen e rrugëve po e bëjnë punën “shkel e shko”, ndërsa zyrtarët komunal përgjegjës për mbikëqyrjen e tyre “nuk janë në detyrë”, e vërtetojnë edhe këto fotot të bëra para pak çastesh në Prishtinë.