Bombë në Mitrovicën e Veriut

Një bombë dore është gjetur mbrëmë në Lagjen e Boshnjakëve. Ajo është shpërthyer në mënyrë të kontrolluar nga KFOR’i në orët e hershme të mëngjesit.

Lajme

23/12/2013 08:51

Mbrëmë vonë në Mitrovicën e Veriut është gjetur një mjet shpërthyes në afërsi të ndërtesës së “Telekom Srbija”, e cila në orët e hershme të mëngjesit është shpërthyer në mënyrë të kontrolluar.

Shefi Operativ i Policisë së Kosovës Zeljko Bojic ka thënë se mjeti shpërthyes është gjetur në rrugën “Nemanja”. Ai ka shtuar se rastin në polici e kanë lajmëruar qytetarët, dhe menjëherë Policia ka siguruar zonën ndërsa pjesëtarët e KFOR’it e kanë shkatërruar atë.

Besohet se mjeti mund të ketë qenë bombë e dorës.

Kjo nuk është hera e parë që në këtë pjesë të Mitrovicës, e cila i përket Lagjes së Boshnjakëve, gjendet një mjet shpërthyes.

Më herët, pothuaj në të njëjtin vend, është hedhur një bombë më 20 shtator, në një shtëpi të rrënuar që kishte shkaktuar vetëm dëme materiale.