Bojkotohet ‘Pallati i Incidenteve’

Punëtorët e Pallatit të Drejtësisë edhe sot po bojkotojnë punën në shenjë pakënaqësie për aksidentet që kanë ndodhur qëkur punëtorët e gjykatave dhe prokurorive kanë kaluar në këtë objekt, të financuar me donacione të Bashkimit Evropian dhe të ndërtuar nga një kompani bullgare.

Lajme

20/04/2015 11:19

Nëpër zyra të të Pallatit të Drejtësisë që prej fillimit është vërejtur mungesa e oksigjenit për shkak të ventilimit të dobët, kështu që punëtorët vazhdimisht ankohen se janë të molisur.

Sipas burimeve të lajmi.net., mungesa e oksigjenit nëpër zyra është vërtetuar pas matjeve të bëra, dhe në disa prej tyre madje, pothuajse ka munguar fare oksigjeni.

“Në një prej zyrave nuk ka rezultuar të ketë fare oksigjen. Ka pasur punëtorë që janë alivanosur dhe është kërkuar ndihma shpejtë. Fillimisht këto ankesa nuk janë marrë si serioze, pasi punëtorët që ndodhen në katin e epërm nuk kanë ndjerë ndonjë shqetësim në punë. Por kjo ka ndodhur, sepse ata kanë dy ballkone, dritaret e të cilave i mbajnë hapur, ndërsa katet tjera nuk kanë dritare, vetëm xhama që nuk mund të hapen”.

Prej më pak se dy muajsh, ka pasur katër aksidente me ashensorë, por aksidenti i fundit ka mundur të jetë fatal. Katër punëtorë janë lënduar pasi lifti me të cilin ishin nisur ra nga kati i tretë në katin e parë, ku për fat ndodheshin punëtorët e ashensorit dhe arritën që t’i nxjerrin menjëherë, tregon burimi i lajmi.net. Sipas tij, të katër kolegët e tij kanë pësuar ndrydhje të qafës, e disa edhe dëmtim të unazave.

Një ditë tjetër është rrotulluar rafti me dosje, por për fat askush nuk është lënduar. Ndërsa vështirësitë tjera si udhëtimi deri në Ajvali, ku ndodhet Pallati i Drejtësisë, të cilin punëtorët kanë filluar ta thërrasin si “Pallati i Incidenteve”, pastaj mungesa e ujit të pijshëm, mungesa e valëve të operatorëve telefonikë, janë shqetësime shtesë të punëtorëve të gjykatave dhe prokurorive, të cilët nuk e kanë ndërmend të rifillojnë punën pa ua krijuar kushtet elementare për punë.

Se kur do të rifillojnë puna ende nuk dihet, pasi punëtorët nuk dinë se kujt t’i drejtohen. Ministria e Administratës Publike, Ministria e Drejtësisë, Këshilli Gjyqësor, nuk kanë marrë përsipër kurrfarë përgjegjësie për tejkalimin e kësaj situate, pasi secila është arsyetuar me përgjigjen |se kjo nuk është punë e tyre”. /lajmi.net/