Bojkoti është mision i pamundur

Analisti Dusan Janjic thotë për lajmi.net se partitë nacionaliste serbe po e mbështesin fushatën për bojkot të zgjedhjeve në Kosovë. Por, sipas tij, kjo nuk do të ketë sukses. Animin e Qeverisë së Serbisë për \"Listën Serbe\" e quan precedent për tërë botën.

Lajme

26/10/2013 18:16

Thirrjet për bojkot të zgjedhjeve të bëra nga grupe serbësh në pjesën veriore të Kosovës, sponsorizohen nga njerëzit e Partisë Socialiste dhe asaj Radikale në Serbi.

Kështu thotë analisti nga Serbia, Dusan Janjic.

Në një intervistë për lajmi.net, Janjic shprehet se fushatat për bojkot të zgjedhjeve lokale, ndonëse janë mirë të organizuara, ato janë një “mision i pamundur”.

Elektorati serb në Kosovë, deri më tani, është i ndarë në ata që janë “pro” dhe “kundër” zgjedhjeve të para lokale të organizuara nga institucionet e Kosovës në komunat veriore të vendit.

Janjic thotë se përveç “Listës Serbe”, e cila ka përkrahje buxhetore nga Beogradi, kandidatët të tjerë nuk kanë kushte për të organizuar një fushatë të mirëfilltë.

“Sa i përket paraqitjes së kandidatëve në fushatë, deri më tani, nuk është dëshmuar se ka kushte të domosdoshme. Për aq sa kam unë informacione, deri më tani nuk ka arritur asnjë mbështetje nga buxheti i Kosovës. Ndërsa ‘Lista Serbe’ është i vetmi subjekt politik i cili ka mbështetje nga buxheti i Serbisë. Kështu që, sipas meje, votuesit të përcaktohen në momentin e fundit se kush do të votojë për Listën e kush për kandidatët”, thotë Janjic, për lajmi.net.

Ai mendon se incidentet në pjesën veriore të Kosovës do të ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme në rezultatin e zgjedhjeve.

“Në rast se do të kishte kushte normale për t’u mbajtur zgjedhje fer dhe demokratike, është e nevojshme që KFOR të marrë përsipër ruajtjen e rendit dhe Beogradi t’i largojë njerëzit të cilët janë të pritur për të krijuar parregullsi”.

Fushata për bojkot, sipas Janjic, e përkrahur nga radikalët dhe SPS, nuk do të ketë sukses, pasi që Qeveria në Beograd ka dërguar një mesazh të qartë në përkrahje të këtyre zgjedhjeve.

Ai thotë se kjo rrymë e bojkotit ka të vetmin qëllim që t’i tregojnë Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare se “marrëveshjet e Brukselit nuk janë zgjidhje”.

“Fushata për bojkot është mjaft e qartë, ku ka njerëz të deleguar nga radikalët dhe SPS’i. Por mendoj se kjo fushatë nuk do të ketë efekt, sepse është Qeveria e Serbisë e cila po dërgon mesazhe të qarta”.

“Këto janë zgjedhje lokale, nuk prag të daljes, kështu që fushata e bojkotit është një mision i pamundur. Në rast se do të kishte zgjedhje të përgjithshme, atëherë mund të them se do të ishte një situatë tjetër. Por, në zgjedhje lokale edhe në rast se dalin vetëm 2 për qind serbëve në zgjedhje, ato prapë do të kenë mundësi të vlerësohen legale”.

Janjic ka gjykuar animin politik të Qeverisë së Serbisë për “Listën Serebe”. Ai e ka quajtur këtë si një precedent për tërë botën.

“Nuk kam parë ndonjëherë në histori që një qeveri e një shtetit të tërë përkrahë një subjekt politik. Ky është një precedent politik dhe nuk e di nëse janë ata të vetëdijshëm që një mbështetje e tillë mund të rrezikojë vetë qeverinë serbe në seli, pra në Beograd”.

“Rezultatet e këtij veprimi politik do të shihen pas zgjedhjeve, pasi që lista serbe është konfrontuar në masë të madhe me subjektet tjera politike serbe kështu që është vështirë të besohet që subjektet tjera politike serbe do të bëjnë koalicion me listën”, thotë Dusan Janjic për lajmi.net.