Boateng nuk shkon në Barcelonë

Trajneri i Bayern Munichut, Pep Guardiola ka dhënë një lajm të keq për Barcelonën. Ai ka insistuar se qendërmbrojtësi Jerome Boateng do të mbetet në Allianz Arena.

Sport

05/08/2014 09:26

Trajneri i Bayern Munichut, Pep Guardiola ka mohuar spekulimet se Jerome Boateng mund të transferohet në Barcelonë.

Sipas njoftimeve të hënën, Boateng përmendej si objektiv i gjigantit katalan që synon të përforcojë mbrojtjen pas pensionimit të kapitenit Carles Puyol.

Mirëpo, Guardiola nuk ka ndërmend të lejojë 25-vjeçarin të largohet nga Allianz Arena.

“Nuk e di se qka thonë mediat”, deklaroi Guardiola gjatë një konference për shtyp para duelit mes Bayernit dhe yjeve të MLS All-Star në Portland.

“E di vetëm se Jerome Boateng do të jetë futbollist i Bayernit në sezonin e ardhshëm 100 për qind”, u shpreh ai.

Boateng iu bashkua Bayernit nga Manchester City më 2011 dhe deri më tani ka fituar tetë tituj me gjigantin nga Allianz Arena.