BMW-ja e Thaçit nuk do ta ketë fatin si Q7-shi i Isës

Kryeministri në largim i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur i bindur se vetura me të cilën ai vozitet nuk do ta ketë fatin e pensionimit, siç u bë me Q7-shin e ish-kryetarit të Prishtinës, Isa Mustafa. Ai ka pranuar debatin televiziv me Mustafën, por me kusht që opozita të merret vesh se kush është lideri i vërtetë i saj.

Lajme

02/06/2014 22:00

Thaçi është shprehur i bindur se e njëjta veturë “BMW”, e cila po e vozit tani në kohë fushate, do ta vozitë atë edhe pas 8 qershorit.

E, meqë Vetëvendosje e ka pensionuar Q7-shin e Mustafës, Thaçi thotë se kësaj radhe do ta pensionojë vetë Isa Mustafën.

Ndryshe, ai ka thënë se të gjithë të nominuarit e tjerë për kryeministër do të garojnë për vendin e dytë.

“Vetëvendosja e ka quar makinën e tij në pension. Unë kësaj radhe do ta dërgoj edhe personin në fjalë në pension”.

Kreu i PDK-së, në një intervistë nga makina e tij për Klan Kosova, është shprehur i gatshëm për t’i dalë Isa Mustafës në debat televiziv. Por, vetëm nëse lideri i LDK-së merr edhe lejen e krerëve tjerë opozitarë.

“Zoti Haradinaj po paraqitet si lider i opozitës, zoti Kurti si lider i opozitës, zoti Mustafa si lider i opozitës. Le ta zhvillojnë një debat ata midis vete, le të identifikohet lideri opozitar, pastaj unë i pres”.

Thaçi shprehu bindjen e tij për fitore të sigurt duke mos e vlerësuar asnjë rival politik si të denjë për kryeministër.

Ai tha se pavarësisht pozitave ku përfundojnë pas zgjedhjeve, opozitarët nuk duhet të zhgënjehen. Ngase, “Misioni i Ri”, sipas tij, do të jetë edhe në shërbim të tyre, pasi që ky projekt është për të gjithë.