Blushi shpreson në bashkim mes Shqipërisë e Kosovës

Ben Blushi ka folur për bashkimin mes Shqipërisë dhe Kosovës në emisionin “Kronikë e pambaruar”, ideuar dhe drejtuar nga shkrimtarja Diana Çuli.

Lajme

08/01/2015 22:58

Sipas politikanit socialist, që është edhe shkrimtar, bashkimi si kërkesë nuk ka për t’u zbehur.

“Shpresoj që nuk e kam gabim, por në të ardhmen Shqipëria do të ketë më shumë nevojë për t’u bashkuar sesa Kosova për Shqipërinë. Për ne ky është një ideal i pakonsumuar. Megjithëse brezat ndryshojnë, nevoja për një bashkim kombëtar nuk ka për të ndryshuar në një rrugë apo në një rrugë tjetër. Do të thotë se një ditë ka për të ndodhur, por konstatoj se Shqipëria do të ketë më shumë nevojë ta “kolonizojë” Kosovën, nuk dua të spekuloj me këtë që them, pra ta përfshijë, ta integrojë, për arsye kombëtare, rritjes, madhësisë, tregut, financave, fuqisë në rajon, Kosova mund të jetë pak më e ftohtë, për shkak se, dua ta them sinqerisht këtë gjë, nuk është se nga Shqipëria shkon një model i shkëlqyer në Kosovë i funksionimit të shtetit, kompromisit politik, cilësisë së qeverisë apo administrimit, shfrytëzimit të burimeve natyrore”.

Blushi ka vlerësuar se aftësitë politike për kompromis në Kosovë dëshmohen më të larta se në Shqipëri. “Ne gati luftuam me armë më 1997”, tha ai, duke neglizhuar këtu një element të dallimit Jug-Veri, të cilin Kosova nuk e vuan, transmeton INA.