Të zbukurosh mjerimin me drita

10944059-10152698433712029-1241923007-n

Viti që kaloi ishte viti më i mbrapshtë për Kosovën. Mund të themi se asgjë nuk shkoi siç duhet. Dështim pas dështimi, ngërç pas ngërçi, problem pas problemi. Nëse do të më duhej ta emërtoja me një fjalë vitin që kaloi, do ta quaja “viti i gazit”, pasi jo vetëm që pati shumë gaz, por edhe u bëmë gaz me të huajt dhe me njëri-tjetrin.

Qysh në fillim të vitit asgjë nuk shkoi si duhet. Viti filloi me eksodin masiv të të rinjve kosovar drejt vendeve evropiane dhe përfundoi me tensione politike, protesta dhe bllokim të punës së Kuvendit. Në fushën sociale dhe ekonomike, ky vit i gjeti qytetarët e vendit edhe më të varfër dhe të palumtur se më parë. Qeveria e re, në krye me Isa Mustafën – i cili pasi bllokoi për gjashtë muaj vendin duke u bërë bashkë me opozitën kundër pushtetit, varrosi edhe më shumë shpresat e qytetarëve se këtu mund të bëhet më mirë. Edhe pse pati shumë fjalë për platformën qeverisëse, “tradhtia” e Isa Mustafës dhe koalicioni i dy partive më të mëdha bëri që qytetarët të braktisin vendin drejt shteteve evropiane. Kaluan 100 ditë të qeverisë së re dhe Isa Mustafa në raportin e punës 100 ditëshe të Qeverisë nuk kishte çfarë të raportonte, përveç se të arsyetonte dështimet me krizën politike gjashtë-mujore që vetë ai e kishte shkaktuar më parë.

Takime me Serbinë në Bruksel për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, takime të kota të cilat asnjëherë nuk sollën ndonjë rezultat pozitiv. U hap rrugë për themelimin e asaj që po quhet “Gjykata Speciale”, pasi Kuvendi miratoi amendamente të cilat u përshëndetën nga BE-ja, SHBA-ja dhe vendet e tjera. Por, vetëm kjo nuk ishte e nevojshme që gjithçka të shkonte siç është më së keqi. Gjatë muajit gusht Kosova dhe Serbia, pas bisedimeve në Bruksel arritën marrëveshje për Asociacionin e Komunave Serbe. Isa Mustafa pas arritjes së marrëveshjes tha, duke e arsyetuar atë, se ajo nuk e dëmton sovranitetin e Kosovës.

Ndërkohë tri subjektet opozitare filluan organizimin e protestave për t’i ndalur projektet e dëmshme për Kosovën, duke u thirrur në anulimin e marrëveshjes për Asociacionin, Gjykatës Speciale dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Kështu, erdhëm në muajin tetor dhe nëntor, muaj këta që u karakterizuan me tym, protesta dhe aksione të dhunshme policore, që të bënin të mendosh se edhe në demokraci paska diktaturë. Opozita arriti që çdo herë të fusë gazë lotsjellës në Kuvend, për ta bllokuar çdo proces të tij deri në tërheqjen e nënshkrimeve që Isa Mustafa i kishte vënë.

U harrua Trepça, nuk na u hoqën vizat, dështuam në UNESCO, arrestuam deputetë pa iu hequr imuniteti, thyem shumë herë ligjin, bëmë arrestime spektakolare të figurave publike por në fund pa rezultate, e korruptuam dhe mjeruam edhe më shumë vendin, e shkatërruam atë, dhe në fund e zbukuruam atë me drita për të festuar ardhjen e vitit të ri, duke e ditur se në këtë që e lamë pas e kënaqëm. Viti që shkoi do të mbetet padyshim në memorien e të gjithëve si vit i gazit dhe mjerimit, të cilin në fund e zbukuruam me drita.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *