Shqiptarët dhe racizmi

“Ne nuk jemi racistë,” thonë ballëlartë popullësia gjithë-ngjyrëdashëse e Shqipërisë, teksa shohin filmin e tyre të preferuar me afrikanë-amerikanë.
“Kishim një të ftuar aziatik, sa shumë na pëlqen shkëmbimi i kulturës mes popujve të ndryshëm,” përsërisin gjithë krenari ata.

Kur flasim për dikë të largët, dikë që nuk e arrijmë dot, dikë që nuk e prekim, jemi populli më paqedashës në botë. Neve na pëlqen Rihanna, Will Smith dhe Aretha Franklin. Po, fëmijët tanë duan të bëhen si Oprah kur të rriten, ose si Beyonce, ose si Barack Obama.

Por, kur bëhet reale dhe e prekshme, shndërrohemi në krijesa të frikshme dhe injoruese, bëhemi sikur nuk shohim, heshtim.

Askush nuk flet për racizmin e vërtetë në shoqërinë shqiptare dhe viktimat kryesore të tij- popullësia rome dhe egjiptiane që po endet rrugëve tona, duke na lutur “më lini t’ju pastroj xhamat e veturës”.

Ata janë kudo, fëmijë të veshur rrezikshëm për këtë mot të acartë, një grua që do të të lexojë dorën, një vajzë e re që të kërkon lëmoshë, 300,000 të tillë, nga të gjitha moshat, nga të gjitha sfondet dhe me një gjë të përbashkët- lëkurë pak më të errët se e jona.

Arsyetimet që dëgjoj më së shpeshti janë: ata janë të gjithë njësoj, janë të pistë, janë të këqinj, të paedukatë, të pasjellshëm, nuk dinë të flasin. Dhe të gjitha këto komente kanë një gjë të përbashkët gjithashtu: racizmin që përmbajnë.
Kur ne marrim guximin të gjeneralizojmë një popull të tërë, vetëm sepse kemi parë 30 nga 300,000 dhe kemi krijuar një ide të përgjithshme, është racizëm. Është sikur të thuash të gjithë afrikanë-amerikanët janë kriminelë ose basketbollistë. Është racizëm.

Ky popull po jeton në periferitë e qyteteve tona për sa e sa vite me rradhë dhe ne ende nuk jemi në gjendje t’i inkuadrojmë si pjesë e jona, si qytetarët tanë, si shtetas shqiptarë. Nuk janë në shkollat tona, nuk kanë kartë identiteti, nuk kanë asnjë të drejtë njerëzore.

Pse vallë? Po të ishte lëkura e tyre e bardhë, do ishin përzier me ne që moti, dhe tani nuk do vërehej fare që janë popull dhe kulturë tjetër. Reflektimi ynë tek ta do ishte e vetmja gjë që do na bënte të mendomim “po çfarë faji kanë?”.

Ata vazhdojnë të sorollaten të tronditur  në krizën ekzistenciale të përjetshme, pa ditur kush janë, nga vijnë. Askush nuk i pranon. As vendi nga kanë ardhur, as vendi ku janë tani. Kërkojnë lëmoshë dhe ne, si krijesa të mëshirshme që jemi, i japim një 20-lekësh, si një ngushëllim, një sigurim që jemi të mirë, jemi të dashur, jemi popull mikpritës. Mikpritës me një popull të tërë tek dera, që po presin kaq shumë vite t’i lëmë të hynë brenda? Jo, ne mirëpresim të përkohshmen. Ne jemi racistë.

Neve na pëlqen humori i Aziz Ansarit dhe kënga ‘Gangam Style’, na pëlqen si duken aziatiket e bukura dhe ja bëjmë ‘like’ fotove të tyre në Instagram. Kënaqemi duke parë filma nga Bollywood-i dhe familjet shqiptare mblidhen çdo natë të shikojnë serialet e tyre të preferuara indiane.

Por kur do jemi në gjendje të pranojmë të prekshmen, realen dhe ta mirëpresim atë brenda shtëpisë sonë, në tryezat tona, si miken tonë? Ajo është jashtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *