Shoqe shoqe, kallamoqe

E keni vënë re se si çdo fundvit ngërthen në vete një lloj nostalgjie për vitin plak por edhe një lloj entuziazmi për vitin që po vjen, dhe këto dy emocione sikur garojnë fuqishëm me njëra tjetrën brenda nesh për të na kapluar herë njëra e herë tjetra.

Kujtime të bollshme, disa të mira e disa më pak të mira, malli për njerëzit e dashur, për ata që nuk janë më në mesin tonë, për ata që janë larg ose edhe për të tjerë që me ose pa dashje nuk janë më prezent! E len këtë shije “bitter-sweet” fundviti me patjetër! Është koha kur ia bëjmë vetes një vlerësim të performancës, kur ish dashtë të jemi vet-kritik, të vlerësojmë dhe identifikojmë veset dhe virtytet tona, të kërkojmë falje ndoshta, apo të falim, dhe më e rëndësishmja të jemi falënderues, sepse në fund të ditës duam të bëhemi njerëz më të mirë.

Por seç më duket që ne si popull disi kemi tendencë të mos marrim përgjegjësi për gjërat që na ndodhin, të mos qenurit asnjëherë fajtor edhe të shfryjmë mllefin sa herë dhe sido që të na ipet mundësia. Të paragjykojmë e të shajmë sa të mundemi. Krejt na kanë faj, tash së fundmi Evropa, që nuk po na pranon duar hapur, mandej qeveria të cilën duke votu ose duke mos-votu vet e kemi zgjedhë, mjegulla që po i pamundëson fluturimet, fqiu që konceptin e kohës totalisht e ka huq edhe renovon banesën natë e ditë! Po harrojmë që në secilin segment ne kontribuojmë duke mos-vepru, mos-reagu pra duke mos marrë përgjegjësi! Për më keq, sikur kemi ra në një depresion kolektiv, vazhdimisht shohim zi, rrallë herë dëgjon dikë që nuk ankohet, dikë që është falënderues e mirënjohës për të mirat që i gëzon, more qoftë ajo e mirë edhe të hapësh sytë në mëngjes, të jesh gjallë! Gjëra për tu ankuar do të kemi gjithmonë, gjithë popujt kanë, në qoftë se sot është liberalizimi nesër do te jetë diçka tjetër, por kemi edhe gjëra të mira të cilat i marrim si të mirëqena e nuk jemi falënderues. Me siguri e dini që me mijëra hulumtime shkencore kanë dëshmuar se të qenit falënderues, veç përfitimeve momentale, ndikon dukshëm edhe në përmirësimin e shëndetit të njeriut.

Prandaj, miq të dashur, të përpiqemi të fokusohemi në gjërat pozitive këtë fundvit. Të jemi mirënjohës për ato që i kemi, për jetën, shëndetin, fëmijët, familjet, shoqërinë e shumë të tjera. Patjetër se në fundvit kur të bëjmë një rekapitullim të gjithë atyre ndodhive, do të gjejmë diçka të mirë, diçka pozitive. Patjetër se gjatë gjithë këtij vitit kemi pas ditë të mira e gëzime, kemi takuar njerëz të jashtëzakonshëm që në një formë apo një tjetër na kanë dhënë ndonjë mësim, na kanë pasuruar si njerëz, sepse fundja çdo përvojë çfarëdo qoftë ajo është mësim. Unë kam takuar shumë njerëz interesantë këtë vit dhe kam mësuar shumë prej tyre, të cilëve u jam shumë mirënjohëse, por, para së gjithash, mirënjohjen më të madhe dua ta shpreh për shoqet e mia kallamoqe.

Nëna ime, ndjesë pastë, gjithmonë thoshte se shoqëria janë krahët e njeriut. Si e vogël e edhe më vonë, deri sa nuk u mbusha sherr, kam pas tendencë t’i vizualizojë gjërat e thëna ashtu si më thuheshin. Dhe kjo thënie më bënte t’i mendoja njerëzit me krahë! Por me kohë jam bindur që shoqëria e mirë përveç se është një virtyt është edhe një bekim që vërtet të bënë me krahë. Të bënë të fluturosh e të kapërcesh shumë vështirësi, të bënë të ulesh në tokë e të hapësh sytë, të keqen ta zvogëlon e të mirën ta zmadhon dhe jeta me shoqëri të tillë përreth ndriçohet, zbukurohet e mrekullohet.

Shoqet e mija kallamoqe, falë zotit, janë shumë. Po filloj prej atyre me të cilat rritesh e fatbardhësisht edhe në moshën madhore i ke ende afër vetes, por edhe ato të rejat që janë të pranishme në jetën tënde çdo ditë. Ato janë sikur perla të rralla, të nxjerra diku larg larg nga thellësia e Gjirit Persik, simbol i bukurisë dhe pastërtisë, rrezatojnë çiltërsi, janë të mbështjella me forcë marramendëse dhe nuk thyhen lehtë apo hiq fare, ato janë një prej thesareve më të çmuar të jetës. Ato t’i lexojnë sytë, t’i kuptojnë të pathënat, të inkurajojnë e të qortojnë kur je gabim, të gjenden pranë në të mirë dhe të keqe. Lumë ata që i kanë e edhe unë bashkë me ta!

Shoqet tjera kallamoqe me të cilat jeta të ka takuar, në shkollën fillore, të mesme, fakultet apo punë. Ato me të cilat në një kohë natë e ditë keni qenë bashkë, por që jeta të ka ndarë. Ato me të cilat do të duhej të shihej më shpesh, t’u telefonosh me shpesh, të shkruhesh më shpesh sepse ato janë sikur flori vezullues me zemër te artë. Me ato je vetja, ndanë kujtime të shumta, një herë e një kohë kanë qenë persona shumë të afërt. Edhe nëse me vite nuk shihesh shoqëria e çiltër mbetet. Ju faleminderit që nuk më harroni dhe ju dua pafundësisht!

Këtë vit shoqet e mija perla dhe flori kanë bërë punë të mëdha. Perla e bardhë që është edhe shumë e djathtë është bërë nënë për herë të parë; Perla e verdhë, që t’i hap sytë me zor por e ëmbël si mjalta, është bërë nënë për herë të tretë; Perla rozë me shpirtin më të bardhë që është mehlem për varrë po e përfundon doktoraturën; Perla e kaltër që është person shumë i drejtë dhe dhoma ime e rrëfimit po e përfundon magjistraturën; Perla jeshile që është shumë pozitive dhe e hareshme ka ikur për Amerikë; Perla vjollcë që është e jashtzakonshme ka kaluar shumë sfida dhe po bëhet shtëpi; Perla e zezë elegante me shumë dëshira për perlat tjera dhe Perla kafe kanë hapur biznese; Perla foshnje që sapo ka hyrë në jetë madhore po ia del për mrekulli. Unë jam shumë krenare dhe u jam shumë mirënjohëse shoqeve kallamoqe, ju lumtë!

Pra, në vigjilje të vitit të ri, atëherë kur me apo pa dëshirë reflektojmë mbi këtë vit që po e lëmë pas, mendojmë për ata që nuk janë më, për të tjerë që do vijnë, për arritjet, dështimet, shoqëritë e reja e të vjetra, për ato kilogramët e tepërt që kishim pas mundësi me i heq, për vendimet që i patëm marr vitin e ri të shkuar, për njerëz të ndryshëm që e kanë prek jetën tonë, për duhanin që ish dasht me e lënë. Por, siç e kemi zakon me thënë, për tu ndje më lehtë, paska qenë e shkruar të presim vitin e ri me më shumë kilogramë e me duhan, pa liberalizim, por me perla e flori e zemër plotë!

Gëzuar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *