Mospranimi i Kosovës në UNESCO nuk është dështim

unesco-kosovo

Mospranimi i Kosovës në UNESCO për vetëm tri (3) vota nuk duhet të shihet si dështim, duhet të jetë një shtytje për përpjekjen e ardhshme që është jo më larg se viti 2017.

UNESCO si organizatë që merret më kulturë, arsim dhe trashëgimi kulturore, promovon vlera shoqërore dhe në misionin e vet nuk ka ndikim politika ose në rastin me të keq interesat e ndryshme gjeopolitike.

Fatkeqësisht votimi i djeshëm nxjerri në pah vlerat e kundërta që ka kjo organizatë, ose më saktë përpjekjet e disa shteteve. Përpjekja e Kosovës për tu bërë anëtare e UNESCOS, me ose pa dashje ka bërë ndarjen e cila veç ekziston në mes të fuqive të mëdha. Rreshtimi i shteteve perëndimore dhe properëndimore në krah të Kosovës duhet të na gëzoj dhe motivojë në përpjekjet tona të ardhshme.

Anëtarësimi nuk është i lehtë, nuk varet çdo herë nga e drejta ose nga përpjekja që është bërë, mospranimi i Kosovës në UNESCO e dëshmon këtë. Kosova në aspektin e të drejtës ndërkombëtare ka pasur të drejt anëtarësimi, do të ketë edhe në të ardhmen. Institucionet e Kosovës dhe shumica e shteteve përfaqësuese me ose pa të drejt vote në UNESCO kanë bërë përpjekje maksimale që të arrihet anëtarësimi. Këto përpjekje u panë dhe u dëshmuan, ku nga 142 shtete anëtare që morën pjesë në votim, 92 votuan pro Kosovës, 50 kundër dhe 29 shtete abstenuan. Në aspektin matematikor po edhe diplomatik Kosova ka përkrahjen e shumicës së shteteve të organizatës së OKB-së.

Mospranimi për 3 vota nuk duhet të konsiderohet si dështim i institucioneve të Kosovës, pasi që dihet se bajrakun kryesor në këtë proces e kishin shtetet më të fuqishme të botës: Amerika, Gjermania, Anglia etj.

Është momenti që mos të kërkojmë fajtorin në mesin tone, sepse nuk do ta gjejmë asnjëherë, ndoshta edhe nuk ekziston. Të bëhemi së bashku ti ruajmë partneret ndërkombëtare që i kemi, të punojmë dhe dëshmojmë tek shtetet që nuk na kanë votuar për të ndryshuar mendim dhe qasje.

Kosova mund të jetë konkurrente më të gjitha shtetet e tjera anëtare të kësaj organizate, duke promovuar trashëgiminë e pasur kulturore materiale dhe jomateriale edhe pa qenë brenda UNESCO-së këto dy vite. Të dëshmojmë para të gjitha shteteve anëtare të UNESCO-së se jemi në gjendje të ruajmë dhe promovojmë trashëgiminë kulturore, që pranimi jonë në vitin 2017 të jetë i pakontestueshëm.

Besojmë në të drejtën tonë, të shpresojmë më pak e të punojmë maksimalisht në të mirë të trashëgimisë kulturore, rruga jonë drejtë UNESCO-së do të jetë e pandalshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *