Kosova dhe UNESCO: SHBA ka lobuar, por nuk voton

SHBA mendojnë se objektet me rëndësi historike do të kenë një mbrojtje më të mirë po qe se Kosova është në UNESCO.

Lajme

11/10/2015 09:12

Ministria e Jashtme e Serbisë tash disa muaj ka orientuar gjithë përpjekjet e veta diplomatike për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatën e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë e Kulturë, në UNESCO, thotë nje zyrtar amerikan në Washington. Një kërkesë të tillë për mosmbështetje të Kosovës në UNESCO delegacioni serb i ka bërë edhe administratës amerikane në fund të shtatorit.

“Ne kemi lobuar tek shumë vende për pranimin e Kosovës në UNESCO. SHBA mendojnë se objektet me rëndësi historike do të kenë një mbrojtje më të mirë po qe se Kosova është në UNESCO,” thotë zyrtari amerikan në delegacionin e OSBE-së, i njohur me kërkesën e Kosovës dhe me zhvillimet në rajon tash mbi dy dekada.

Në votimin e Bordit Ekzekutiv pas 20 tetorit do të mungojë vota e Amerikës. SHBA me 22 për qind ishin kontribuesi më i madh i buxhetit të UNESCO-s deri më 2011, mirëpo për shkak të pranimit të Palestinës në organizatë, Ëashingtoni ka ndalur këtë kontribut, në bazë të një ligji të miratuar nga Kongresi më 1990. Për shkak të moskontributit, nga viti 2012 SHBA kanë humbur edhe të drejtën e votës, ndërsa nga 58 anëtarët e Bordit Ekzekutiv, 32 janë vende që tashmë e kanë njohur zyrtarisht shtetin e Kosovës.

Deri tash UNESCO ka njohur katër monumente mesjetare bizantino-ortodokse si trashëgimi botërore në Kosovë: Manastirin e Deçanit, Patriarkanën e Pejës, Kishën e Zojës së Virgjër në Prizren dhe Manastirin e Graçanicës, objekte këto që për shkak të mosnjohjes së Kosovës nga UNESCO evidentohen si pjesë të trashëgimisë botërore në shtetin e Serbisë.

Një listë e sajuar nga dy misione raportuese të UNESCO-së në Kosovë gjatë viteve 2003 dhe 2004 si dhe nga katër misione të Këshillit të Evropës që erdhën për nevoja të konferencës së donatorëve me qëllime restaurimi, ka identifikuar 48 objekte bizantine serbo-ortodokse, Kisha, manastire, seminare; 14 objekte islamike, xhami e hamame nga periudha e perandorisë Otomane; dhe 13 pika arkeologjike historike, disa kulla guri në Dukagjin, ndonjë kala dhe urë të vjetër./RTK/