Fjalët e pleqve ishin me vend!

Nuk thuhet kot pleqve pordhët mos ua dëgjo por fjalët po!

Ne, si më të rinj, në përpjekjet tona për të qenë sa më modern e pa paragjykime kemi tendencë t’i kapërcejmë, pa ua vënë fort veshin, gjithë atyre mësimeve jetësore që janë ruajtur e janë bartur brez pas brezi me dekada të tëra, të shprehura me fjalë të urta, fjalë të pleqve, proverba etj. Unë, siç besoj edhe shumica prej jush, jam rritur me një enciklopedi folklori – gjyshi im – tash 87 vjeç me letra, edhe pse ai vet pretendon ti ketë diku mbi 90, por si rëndom atëkohë është shkruar më vonë.

Gjyshi im, atëbotë, me dukej sikur kishte një botë të tijën që e ruante me shumë zili, më dukej sikur s’ishte i pranishëm në këtë botën tonë, sikur s’ishte i vetëdijshëm se bota ndryshonte çdo minutë! Eh po ku ta dija unë se ai ishte më se i vetëdijshëm, madje madje shpesh herë tregonte se si kur ai ka qenë i ri, pleqtë në atë kohë kishin pas thënë se do të vij një ditë kur do ta shohim të gjithë botën në një kuti të vogël, e ne si fëmijë që ishim mendonim se ai ishte rralluar!

Ulej aty pranë koftorrit, me plisin që me shumë krenari ende e mbanë, nxirrte ato letrat e duhanit nga një kuti ngjyre ari dhe duke pështjellë një cigare e niste ndonjë histori. Historitë e tij, që unë vonë e kam kuptuar, çuditërisht gjithnjë ndërlidhen me situatat aktuale dhe të krijojnë një ndjesi se gjithçka përsëritet, sikur me shekuj të tërë njerëzit të kenë jetuar në një labirint! Sikur nuk është nxjerrë asnjë mësim! Prandaj, duke qenë se herët a vonë do të provohemi në lëkurën tonë se fjalët e pleqve të gjitha ishin me vend, pa pretenduar të jem ndonjë folkloriste e zonja apo çfarëdo, me shpresë se dikush diku do të mësoj diçka, dua të ndaj me ju disa prej syresh;

I mençuri mëson prej gabimeve të tjerëve e budallai prej të vetave
Thuhet se i mençuri mëson nga gabimet e tjerëve dhe budallai nga gabimet e tij, unë as nga gabimet e tjerëve e besa shpesh herë as nga gabimet e mija, sikur që thonë në anglisht, e bëjë të njëjtin gabim pesë a gjashtë herë, vetëm sa për t’u siguruar që është me të vërtet gabim. Se mbase po gaboj me gabimin! Eh, po të gjallët gabojnë, por kur i japim dikujt rast pas rasti dhe çdo herë na e dëshmon se është shpirtngushtë, duhet dikur t’i hapim sytë! E sa jemi tek budallallëku, një herë në një rast pak ca të paarsyeshëm për pleqtë tanë, gjyshi më tha: “Eh moj bijë, nuk është budalla vetëm ai që del në rrugë dhe çirret sepse budallallëku nuk është një fare por budallallëku është nëntëdhjetë e nëntë faresh!” Pra budalla brina ska! Një herë në një rast një djalë e kishte pyetur një plak të mençur se çka ndodh kur takohet një i mençur e një budalla? Asgjë, i ishte përgjigjur plaku, sepse i mençuri ia lëshon udhën budallait, por po u takuan dy budallenj dashtë zoti të mos qëllosh aty, ata as nuk ngrehen as nuk grahen!

Tupani rreh për atë që ka vesh
Tupani rreh për atë që ka vesh, thotë shpesh gjyshi im, thënie kjo që do t’i përshtatej situatës politike aktuale në vend. Vesh mundet mos me pas njeriu për muzikë por ama nuk do shumë vesh për të kuptuar se jemi lodh prej kësaj klase politike, bashkë pozitë e opozitë, që edhe pas gjithë atyre përpjekjeve nuk arritën me u zhvesh prej egos e me u marr vesh të paktën për një pikë! E ne që jemi lodhë, nëse në asnjë formë tjetër nuk kontribuojmë në përmirësim të situatës duhet që së paku të dalim në zgjedhje, kurdo që mbahen ato, po pra të votojmë sepse kush nuk është për veti s’është as për gjeti, një tjetër thënie shumë me vend, dhe më e pakta që ne mund të bëjmë për vete është të dënojmë këtë kastë politike me votën tonë. Pse të tjerët të kenë konsideratë për ne, si Evropa psh, kur ne nuk kemi konsideratë për vet veten! Më pati bërë shumë përshtypje një reklamë e një agjencie udhëtimesh në Danimarkë që propagandonte se shkuarja në pushime do të rezultojë me ngritje të natalitetit, duke qenë se çiftet në pushime verore sipas disa hulumtimeve kishin marrëdhënie më të shpeshta. Në përpjekje të ngritjes së natalitetit njëkohësisht edhe shitjes së pakove të pushimit reklama kishte sloganin “Do it for mom” pra bëje për nënën, që ajo të kenë mundësinë të bëhet gjyshe. Nataliteti tek ne nuk është problem, por problem është vetëdijesimi, ndërgjegjësimi dhe marrja e përgjegjësisë, me mos-dalje në zgjedhje ne i kontribuojmë këtij kaosi. Pra, kur të vijë koha, ta bëjmë më të paktën që mundemi për nënat, që ato të kenë një vend më të mirë t’i rrisin fëmijët e tyre! Herët a vonë do të gjykohemi për të mirat që nuk i kemi bërë!

Me u bë nënë është lehtë, me rrit fëmijë lypset mund
Kur u bëra nënë, gjyshi im më uroi duke theksuar se nuk do shumë mund të bëhesh nënë por të rritësh fëmijë lypet shumë mund, durim e sakrificë, dhe shtoi, nënë të keqe nuk ka por nënë budallicë ka, eh po nuk thuhet kot për inat të resë më vdektë djali! Më pat mbet në kujtesë kjo fjalë, edhe pse atëbotë, mendoja se nuk ishte me vend. Pak dija unë për fenomene të tilla, që fatkeqësisht ka nëna që edhe me qëllimet më të mira, në paditurinë e injorancën e tyre, bëjnë dëme të mëdha. Ka pas mençuri në faktin se në të kaluarën kur kanë zënë nuse kanë pyetur prej nga i ka nusja dajallarët, rrjedhimisht nënën, e që tash në kohën tonë do të duhej të vlente edhe për dhëndrin, fundja dardhë bie nën dardhë. E di që ka përjashtime, gjithmonë ka pasë, por kujtoj që përjashtimet veç sa e përforcojnë rregullin. Pra miq, do të ishte mirë t’i marrim parasysh këshillat e pleqve e mos t’i biem trup!

Rruga e shkurtë del gjithmonë më e gjatë
Kur një djalë me babanë e tij gjatë rrugëtimit të tyre për në shtëpi ishte lodhur, i kishte thënë babait se do t’i bie trup përmes një fushe. Babai i thotë: “Kur unë kam kaluar një herë nëpër atë fushë jam therrë se është e mbushur me therra por ti provoje, mbase ti s’do të therresh!” Natyrisht se edhe djali në kryeneçësinë e tij, duke mos dëgjuar të provuarin, u therr edhe vetë! Pavarësisht faktit se ne në Kosovë shohim shumë njerëz që i bien trup, pra shkelin mbi çdo gjë duke qenë të verbuar pas interesit personal, edhe marrëdhëniet shoqërore që do të duhej të ishin ato më fisniket i ndërtojnë vetëm mbi baza të tilla, ata nuk janë për lakmi! Edhe pse kemi përshtypjen se njerëz të tillë kalojnë pa therrë në këmbë, herët a vonë, siç edhe po dëshmohet çdo ditë, ata do t’i ndjenjë ato therra në një formë apo tjetër, sepse, siç thotë gjyshi im shpesh, askujt kungulli mbi ujë gjithmonë nuk i ka ec!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *