Ata që i bënë gjyqin e kafeve, i kërkojnë Rudinës, gjyqin e komunizmit

rudina-nexhi

Nga Sokol Dema

Zhurma sociale që bëri personazhi i vdekur i telenovelës “Bidaai”, Sadna, dhe lotët që shqiptarët derdhën për indianen e shkretë, e cila ishte “hit” i dashurisë, dhembshurisë dhe familjes, u pasua nga një tjetër “fenomen social”.

Gjatë gjithë të hënës, me të drejtë, Vizion Plus dhe Rudina Xhunga reklamuan jashtëzakonisht shumë intervistën që kjo e fundit kishte realizuar me bashkëshorten e ish-diktatorit, Nexhmije Hoxha. Megjithatë, pa ardhur ora e transmetimit, një lum i madh social shpërtheu në kritika të shumta.

Në fakt, është e kuptueshme deri në një farë pike të ketë të pakënaqur, por që të nxirret vrerë për një intervistë televizive (çfarëdo lloj qoftë ajo), është pak e tepruar.

Duke qenë se Znj. Hoxha ka dhënë intervistën e saj të fundit, normalisht, bazuar edhe në moshën e saj të thyer, aq sa nuk i lejon më edhe koha për të rrëfyer, kjo do të thotë se për mua është shuar ëndrra për të realizuar një intervistë me të. Me bindje them që është një ndër të paktët persona publik në këtë vend, e cila gjithmonë më ka ekzaltuar për t’a intervistuar. Jo për ndonjë dashamirësi që mund të kem për të, është absurde edhe të mendohet, por thjeshtë “barra” që ajo ka mbajtur për rreth 50 vjet e bënë interesant për çdo gazetar.

Në radhë të parë është personazhi, i cili për gjysëm shekulli ka qenë shkruesja e historisë së këtij vendi, në një ndër periudhat më famëkeqe të historisë sonë ndër shekujë. E kush nuk do të donte të kishte përballë një personazh të tillë?

Më shumë se të shqetësuar në atë që transmeton Znj. Hoxha, unë kam përshtypjen se vetë kolegë të Rudinës kanë shfaqur një tip “zilie” për këtë intervistë. Duhet pranuar fakti që do t’i qëndroj brezave, kjo intervistë do të jetë themelore në të shkruarin e historisë nga historianët. Sa të vërteta ka në deklaratën e ish zonjës së parë “diktatore” ne nuk mund t’a dim. Megjithatë, ajo foli, tha verdiktin e saj, vulosi arkivën me emrin e saj.

Duke iu rikthyer edhe njëherë ëndrrës për t’a intervistuar, jam i bindur se të gjithë biem dakord se për momentin nuk ka lider në Shqipëri që mund të jetë më i fuqishëm në të gjithë opinionin publik, më shumë se ajo. Duke filluar nga Kryeministri, Presidenti, e deri tek lideri i opozitës apo edhe me gjerë, e kanë të pamundur t’a mundin, sepse ajo është lartë, shumë më lartë. Ka shumë njerëz që nuk e duan (përfshi edhe mua), u pështiroset, e urrejnë, por e dëgjojnë me kërshëri. Sidomos kur nuk thotë asgjë, e duam të vdekur “kuçedrën”.

Brezat e komunizmit akoma janë të brishtë, plagët janë akoma të hapura dhe detyrimisht jehona është e madhe. Për brezat e rinj duhet folur për këtë kohë të errët dhe kush më mirë se ajo vetë mund t’a bëjë këtë?

Ka kritika se intervista nuk u zhvillua mirë, Rudina nuk u interesua t’a pyes për krimet e komunizmit. Të dashur, Rudina nuk është gjykatës, roli i saj nuk është të hetoj krime “lufte”. Pastaj, kjo gjë nuk bëhet me një njeri që po mbush të njëqindat, cilido qoftë ai. Megjithatë, në atë pak që ajo foli, dukej qartë që nuk kishte pendesë për asgjë, madje edhe pse një “lis” shekullor, nuk i dridhej qerpiku për asnjë moment.

Prandaj, kjo intervistë duhej, përtej çdo paragjykimi, xhelozie, smiri dhe inati të kolegëve të Rudinës, sepse ata folën. Në fund të fundit televizioni është biznes, vetë media është biznes, kërkon vëmendje, dhe vëmendja krijohet duke rrëmuar në vrimat e pazbuluara të misterit. Për këtë, Rudina Xhunga duhet përshëndetur, përtej karrierës së saj të gjatë në gazetari.
Kujt nuk i ka pëlqyer ishte shumë e thjeshtë, telekomandën e ka patur në dorë, fatmirësisht sot nuk ekziston vetëm Radiotelevizioni Shqiptar.

SQARIM!

Shkrimet në blogun e lajmi.net janë shkrime të përdoruesve të ndryshëm, të mundësuara nga lajmi.net. Shkrimet që i lexoni në blog nuk paraqesin qëndrimin e redaksisë së lajmi.net. Nëse një shkrim mendoni se ka përmbajtje që është e papërshtatshme në çfarëdoformë, klikoni butonin raporto apo na shkruani në info@lajmi.net.

Raporto

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *