Blloku tani s’e sheh të arsyeshme mbajtjen e seancave debatuese

Partitë e Bllokut LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje nuk e shohin më të arsyeshme të vazhdojnë mbajtjen e seancave debatuese, siç patën paralajmëruar në seancën e 9 tetorit.

Lajme

21/10/2014 13:15

Zyrtarët e Bllokut thonë se nga seanca e 9 tetorit kanë dalë konkuzionet dhe tani duhet të zbatohen. Ndërkohë njohësit e rrethanave juridike thonë se kryesuesja duhet ta thërras seancën, edhe nëse ajo bojkotohet nga PDK-ja.

Para gati dy javësh partitë e Bllokut LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje u mblodhën në seancë për të debatuar për zgjidhjen e ngërçit politik e institucional. Në seancën që nuk ishte thirrur nga kryesuesja Flora Brovina, e ku mungoi PDK-ja dhe deputetët e komuniteteve pakicë, Vjosa Osmani në emër të partive të Bllokut shprehu zotimin se do të vazhdojnë të mbajnë seanca edhe pa ftesën e Brovinës.

“Nëse zonja Brovina nuk e thërret seancën konstituive, përsëri sikur kësaj here, shumica parlamentare do të angazhohet për vazhdim të seancës dhe për konstituim të Kuvendit në përputhje me vullnetin e shumicës parlamentare”, ka thënë Osmani për Radio Kosovën.

Por, tani duket se partitë e Bllokut kanë ndryshuar mendim sa i përket vazhdimit të seancave të tilla. Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi thotë se nga seanca e 9 tetorit kanë dalë konkluzionet dhe tani ato duhet të zbatohen.

“Nuk e kemi parë të arsyeshme që të vazhdojmë, sepse në fakt konkluzionet e dala tani duhet të zbatohen dhe ne do të presim momentin e duhur derisa të arrijmë në zbatimin e këtyre konkluzioneve të dala nga vullneti i mbi 60 deputetëve të cilët atë ditë e thanë fjalën e vetë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë ajo.

Kadaj-Bujupi tha se PDK-ja duhet të reflektojë, ndërsa presidentja të marrë veprime konkrete për zgjidhjen e kësaj situate.

Ndërkaq, njohësi i rrethanave kushtetuese, Xhavit Shala thotë se kryesuesja Flora Brovina duhet ta thërras seancën, edhe nëse bojkotohet nga PDK-ja.

“Ajo duhet ta thërras seancën, e ka kuorumin. Nëse PDK-ja nuk dëshiron të shkojë në seancë, në mënyrë hipotetike, paramendoni nëse PDK-ja bojkoton, a duhet të bojkotohet tërësisht krijimi i institucioneve. Prandaj kryesuesja duhet të veprojë konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese, konform Kushtetutës dhe rregullave, të shkojë në seancë dhe të vazhdojë”, tha Shala.