Blloku s’ka vizion për ekonomi

Ministri i Financave, Besim Beqaj ka mohuar se si pasojë e bllokadës institucionale do të rrezikohet sistemi fiskal i vendit.

Lajme

31/10/2014 08:55

 Ai ka thënë se Kosova ka stabilitet fiskal, por ky stabilitet në aspektin afatgjatë mund të dëmtohet në rast se ngërçi politik vazhdon me gjatë.

Ai ka bërë me dije se në pjesën e dytë të vitit ka pasur dinamikë më të vogël të zhvillimit ekonomik.

“Kosova nuk kërcënohet sa i përket stabilitetit financiar. Ky vit buxhetor mbyllet sipas rregullave të cilat janë të parapara, pra edhe me marrëveshjet që kemi pasur me FMN-në. Kjo që po them nënkupton se do të jemi në kuadër të rregullës fiskale sa i përket deficitit buxhetor që nuk i lejohet të jetë më shumë se 2 për qind e GDP-së”, thotë ai.

Ministri Beqaj në intervistë për “Epoka e re” ka folur edhe për programet ekonomike që kanë partitë politike. Ai ka thënë se PDK-ja me partnerët e saj kanë një program të qartë ekonomik, të cilit ia kanë vënë emrin “Misioni i Ri”.

Ai po ashtu ka kritikuar partitë e bllokut se nuk kanë program të qartë për zhvillim ekonomik të vendit.

“Kemi një bllok i cili me dëshirën për të ardhur në pushtet synim të vetëm ka të hiqet PDK-ja nga pushteti. Nuk ka synim tjetër. Prandaj ky është problemi kryesor tek investitorët, sepse ata ulen e shohin nëse këta e marrin pushtetin, i cili është vizion i tyre për ekonomi. Partitë e bllokut nuk kanë vizion për ekonomi”, ka thënë Beqaj.