Blloku prishet nëse Isa Mustafa nuk e merr postin e kryeparlamentarit

Situata aktuale politike mund të merrte kahe tjetër, sikur Blloku LDK-AAK-Nisma të pranonte që të hiqte dorë nga posti i kryeparlamentarit, duke ja lënë atë PDK-së, ashtu siç ja garanton Kushtetuta. Por kjo duket të jetë e pamundur, pasi Isa Mustafa, të cilit i është garantuar ky post, e ka bërë të qartë se nëse nuk mund realizohet marrëveshja në këtë pikë, atëherë ajo nuk bënë të shkojë tutje as me pikat tjera. 

Lajme

03/10/2014 17:49

Dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse shumë të qarta nuk kanë arritur që t’u ndihmojnë partive politike të procedojnë tutje me formimin e institucioneve të vendit.

Vendimi i dytë ka qartësuar se vetëm PDK-së, i takon propozimi i kryetarit të Kuvendit, gjë që ka bërë të ja prish planet Bllokut LDK-AAK-Nisma, të cilët përmes marrëveshjes së koalicionit këtë post i kanë garantuar kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa.

Kohëve të fundit, si mundësi e zhbllokimit të situatës, është parë, që posti i kryeparlamentarit t’i jepet PDK-së, ndërsa Blloku LDK-AAK-Nisma dhe eventualisht edhe Vetëvendosje, të bëjnë qeverinë, pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ua mohon këtë mundësi.

Kjo temë mësohet se është diskutuar edhe brenda strukturave të Bllokut LAN, dhe sipas burimeve të lajmi.net, Isa Mustafa e ka hedhur poshtë si të parealizueshme një mundësi të tillë.

Ai ka thënë se nëse LDK nuk arrin ta marrë postin e kryeparlamentarit të garantuar me marrëveshjen e LAN, atëherë koalicioni mund edhe të prishet, nëse marrëveshja nuk ri-dizajnohet.

Një formë e tillë, do të linte LDK-në pa asnjë nga postet kryesore në vend, edhe pse është partia më e madhe e Bllokut dhe kjo ka bërë që ajo, të mos pranojë as të diskutohet kjo temë. (lajmi.net)