Blloku opozitar me grup të përbashkët për postin e kryeparlamentarit

Për ta siguruar postin e kryetarit të Kuvendit, LDK-ja, AAK-ja e NISMA kanë vendosur të krijojnë një grup të përbashkët parlamentar. Blloku që po synon të qeverisë Kosovën në katër vjetët e ardhshëm pretendon se qysh në fillim të seancës kur bëhet regjistrimi i deputetëve do të ketë më shumë sish se PDK-ja.

Lajme

13/06/2014 09:16

Zyrtarët e Kuvendit nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë nëse grupet parlamentare krijohen para zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit apo pas zgjedhjes së tij.

Por, sipas rregullores, grupi më i madh parlamentar propozon kandidatin për kryetar të Kuvendit , shkruan sot “Koha Ditore”.

As përfaqësuesit e subjekteve politike, as zyrtarët e Kuvendit nuk kanë qenë në gjendje të tregojnë nëse grupet parlamentare krijohen para zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit apo pas zgjedhjes së tij.

Sipas njërit nga kontribuuesit e hartimit të Kushtetutës, Alexander Borg Oliver presidentja duhet të kërkojë vetëm shumicën e nevojshme në Kuvend.

“Askund në Kushtetutë nuk thuhet se presidentja duhet ta thërrasë partinë ose koalicionin që ka fituar zgjedhjet për ta bërë Qeverinë. Ajo duhet ta kërkojë vetëm shumicën e nevojshme në Kuvend, e cila garanton se shteti mund të bëhet me Qeveri”, ka thënë ai për “KD”.