Blloku: Mund ta shkarkojmë Brovinën

Përfaqësuesit e Bllokut thonë se Rregullorja e Kuvendit e njeh një mundësinë  e shkarkimit kryesueses së Kuvendit, pavarësisht se kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, deklaroi se nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë.

Lajme

03/10/2014 18:47

Kryesuesja e Kuvendit, deputetja më e vjetër, Flora Brovina në seancën konstituive të 17 korrikut ishte shkarkuar dhe ishte zëvendësuar me një deputete tjetër që ishte e dyta për nga mosha. Por, sipas kreut të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, Blloku LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje nuk e ka mundësinë që ta bëjë sërish një gjë të tillë. Përfaqësuesit e Bllokut thonë se Rregullorja e Kuvendit e njeh një mundësi të tillë dhe se do ta zëvendësojnë Brovinën nëse ajo edhe më tutje do ta shtyjë vazhdimin e seancës konstituive.

Kryesuesja e Kuvendit, Flora Brovina nuk mund të shkarkohet deri në zgjedhjen e organeve drejtuese të Kuvendit, ka thënë kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Por kjo deklaratë e tij, nga përfaqësuesit e Bllokut shihet në vazhdën e deklaratave të Hasanit në shërbim të interesave të partisë në pushtet. Ismet Beqiri nga LDK-ja thotë se deklaratat e Hasanit s’kanë të bëjnë me çështje juridike, por janë deklarata politike. 

“Sot nuk domethënë të kesh librezë partie që të jesh anëtar i një partie. Më mirë është që z.Hasani të dal e të thotë se znj.Brovina nuk mund ta uzurpojë dhe të veprojë siç po vepron me abuzim në udhëheqjen e seancës konstituive. Automatizmi, siç është thënë nga ana e tij, nuk të jep të drejtë që me automatizëm të sillesh në mënyrë joligjore”, tha Ismet Beqiri për Radio Kosovën.

Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se deklaratat e tilla të kreut të Kushtetueses nuk e ndalin Bllokun ta zëvendësojë Brovinën. 

“Po presim që seanca konstituive të thirret deri në mesin e javës. Në qoftë se nuk thirret, atëherë ne si deputetë të Kuvendit të Republikës, jemi shumicë parlamentare dhe do të mblidhemi vetë, dhe sigurisht që do të zëvendësojmë edhe Flora Brovinën”, tha Haxhiu për Radio Kosovën. 

Analisti politik Albert Krasniqi deklaratën e Hasanit e sheh më tepër si çështje terminologjie, ngase sipas tij, kryesuesja sipas Rregullores së punës së Kuvendit, mund të zëvendësohet. 

“Është më tepër në aspektin terminologjik, por zëvendësimi i tij ëshët i mundur, për shkak se nuk mund të mbetet peng konstituimi i institucioneve për shkak të refuzimit të personit që ka qëlluar të jetë më i vjetër në moshë që ta kryej punën e tij që ka obligim kushtetues”, tha Krasniqi për Radio Kosovën. 

Ndryshe, në nenin 9 të Rregullores së punës së Kuvendit nëse kryesuesi i seancës që është deputeti më i vjetër, mungon ose refuzon kryesimin e seancës konstituive, atëherë angazhohet deputeti tjetër më i vjetër sipas moshës.