Blloku mbledh mbi 60 nënshkrime për seancën konstituive

Janë mbledhur mbi 60 nënshkrime për të thirrur vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Kështu ka pohuar Ismet Beqiri nga LDK. Këtë gjë e kanë bërë deputetët e bllokut LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje.

Lajme

02/10/2014 17:39

Ismet Beqiri tha se shtyrja e seancës konstituive e Kuvendit të Kosovës, nga ana e kryesueses, Flora Brovina, është bërë në mënyrë arbitrare.

“Ky është një abuzim i skajshëm që ia ka dhënë Gjykata Kushtetuese në këtë rast. Ajo po e refuzon një obligim që tash e ka edhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe kjo sigurisht në infinit dhe në paskajshëmri nëse mund të thuhet ose paskaj nuk mund të tolerohet. Është e qartë që nuk po e bënë Flora Brovina është ekzekutore, ndërkaq po e bënë PDK-ja gjegjësisht Hashim Thaqi”, ka thënë ai.

Beqiri tha se kryesuesja mund të zëvendësohet, por se sipas tij fillimisht mbledhja e nënshkrimeve është vetëm për vazhdimin e seancës në javën e ardhshme.

“Kryesuesja nuk është zgjedh, ajo mund të zëvendësohet edhe është e paraparë që mund të zëvendësohet nëse vazhdon kësi soji“.

“Ne kemi kërkuar, gjegjësisht do të kërkojmë më shkrim që seanca të vazhdojë javën e ardhshme, për hapat tjerë me kohë ju informojmë”, ka shtuar Beqiri. /Kosovapress/