Blloku ka të drejtë të thërras seancën, por jo të propozojë kandidat për kryeparlamentar

Analistët vlerësojnë se në bazë të Rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës së Kosovës, partitë e bllokut kanë të drejtë të mbledhin e dyzetë nënshkrime, për të thirrur vazhdimin e seancës konstituive. Por, sipas tyre, nuk kanë të drejtë që ta kandidojnë ndonjë deputet për kryetar të Kuvendit.

Lajme

02/10/2014 15:21

Deputetët e partive të bllokut LDK-AAK-Nisma (LAN) dhe Vetëvendosje, pas takimit që kanë mbajtur sot në Kuvendin e Kosovës, kanë paralajmëruar se do të fillojnë mbledhjen e nënshkrimeve për të thirrur vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Ata kanë deklaruar se do të mbledhin 40 nënshkrime që u mundëson atyre thirrjen e kësaj seance.

Njohës të punës së Kuvendit të Kosovës, thonë se blloku mund të thërras seancë me mbledhjen e 40 nënshkrimeve, por tërheqin vërejtjen se në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ata nuk do të kenë të drejtë të kandidojnë ndonjë deputet të tyre për kryetar të legjislativit.

Albert Krasniqi hulumtues në Institutin “KIPRED”, tha për lajmi.net se deputetëve u mundësohet që të thërrasin seancën, nëse këtë nuk e bënë presidenti i vendit, apo kryesuesja e seancës.

“Kushtetua dhe rregullorja e parasheh që në rastet kur presidentja nuk është në gjendje të thërras seancën konstituive, por edhe nëse refuzon kryesuesi ose deputeti më i vjetër në moshë ta bëjë një gjë të tillë, atëherë deputet duhet të mblidhen vet për ta konstituuar Kuvendin”.

“Dhe në këtë rast, mund të konsiderohet që kryesuesja ka heqë dorë nga kryesimi, pasi ka refuzuar ta thërras seancën”.  

“Blloku ka të drejtë. Pra, është konform Kushtetutës dhe nuk përbën ndonjë shkelje nëse deputet me nënshkrimet e tyre mblidhen për ta thirrur seancën”

“Por kjo nuk nënkupton se ata kanë të drejtë që të propozojnë edhe kandidat për kryetar, pasi kjo e drejtë i takon partisë që ka fituar më së shumti vota, në këtë rast PDK-së”, ka thënë Krasniqi.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se në bazë të Kushtetutës janë dy autoritete që mund të bëjnë thirrjen e seancës konstituive. Presidenti i Republikës dhe deputetët në bazë të mandatit të tyre, pa marrë parasysh se seanca është ndërprerë apo shtyrë.

“Rregullorja e Punës së Kuvendit i lejon mundësinë një grupi prej 40 deputetësh që në çdo kohë të thërrasin një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për të diskutuar çështjet të cilat mund të jenë të interesit të ndryshëm”.

“Mbi këtë bazë, mendoj që është shumë e arsyeshme që blloku të kërkojë që vazhdimi i seancës të mbahet në një periudhë të ndryshme kohore nga insistimi i zonjës Brovina”.

“Se pari është presidenti i republikës ai i cili mund të bëjë thirrje dhe të caktojë datën për fillimin e seancës konstituive dhe së dyti, deputetët në bazë të mandatit të tyre që të thërrasin këtë seancë, pa marrë parasysh faktin nëse ajo është ndërprerë apo është shtyrë”.

“Është pikërisht kjo normë kushtetuese e cila transmetohet edhe në Rregulloren e Punës së Kuvendit që flet mbi kërkesën minimale e cila duhet të plotësojë një parti apo një grup të partive të cilat dëshirojnë që të thirret një seancë”, ka thënë Doli.   (lajmi.net).