Blloku e harron seancën

Blloku LDK-AAK-Nisma, i përkrahur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk po insiston si më parë që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Lajme

17/10/2014 11:45

Javën e kaluar, LVAN kishte mbajtur një seancë përmes të cilës i kishte bërë thirrje drejtueses së seancës konstituive, Flora Brovina, që të thërrasë urgjentisht seancën, në të kundërtën pati paralajmëruar se vet do ta bënte këtë gjë.

Tani kur ka kaluar një javë nga kjo kërkesë, LVAN është tërhequr.

Sipas burimeve të gazetës Tribuna brenda “bllokut”, LVAN është tërhequr nga ideja pasi e ka të qartë se thirrja e seancës në të cilën mund të zgjidhej kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit do të kontestohej nga PDK-ja si fituese e zgjedhjeve.

 “Tani jemi duke menduar për hapat që do t’i marrim. Ka mundësi që ditët në vazhdim të kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese të na sqarojë në detaje nenin 127 dhe çka ndodh nëse ne veprojmë bazuar në atë nen”, ka thënë ky burim i gazetës.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e “bllokut” nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani, mohon që LVAN është tërhequr nga thirrja e seancës konstituive.

Sipas saj çdo hap i “bllokut” do të sqarohet të hënën.