Blloku dorëzon kërkesën në Kuvend për mbajtjen e seancës

Deputetët e bllokut LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje kanë dorëzuar kërkesë në Sekretarinë e Kuvendit të Kosovës që t’u lejohet mbajtja e seancës me 9 tetor. 

Lajme

03/10/2014 16:44

Paritë e koalicion LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje ka dorëzuar në Sekretarinë e Kuvendit të Kosovës kërkesën për vazhdimin e seancës konstituive, e cila është shtyrë ditë më parë nga kryesuesja Flora Brovina.

Lajmin e ka bërë të ditur deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani. Ajo për Top Channel ka thënë se kërkesa për seancë, që është dërguar në Kuvend, tanimë është protokolluar dhe, sipas saj, seanca është thirrur për ditën e enjte të javës së ardhshme.

Kërkesa për këtë seancë është e nënshkruar nga të gjithë deputetët e bllokut, por jo edhe nga deputetët e komuniteteve pakicë.

Në Sekretarinë e Kuvendit kanë treguar se nuk dihet ende, nëse mund të jetësohet kërkesa e bllokut, pasi, sipas tyre, vendimi i Gjykatës Kushtetuese e detyron Sekretarinë e Kuvendit, që të jetë në shërbim vetëm të kryesueses së seancës, sa i takon seancës konstituive.

Një zyrtar i lartë në Kuvend ka treguar, në kushte anonimiteti, se ajo çfarë ka bërë Sekretaria deri tani me këtë kërkesë, është që e ka shpërndarë si njoftim nëpër kutitë e deputetëve.

Por, njoftimi i koalicionit paszgjedhor nuk është shpërndarë as te Presidentja, por as tek ambasadorët e akredituar në Prishtinë, siç ndodh rëndom në seanca konstituive.  /Top Channel/