Bllokojnë seancat, por mëditjet nuk i refuzojnë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e opozitës janë treguar të gatshëm që të bllokojnë mbajtjen e seancave të Kuvendit në kundërshtim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Lajme

04/10/2015 13:25

Por, ndryshe po veprojnë edhe pozita edhe opozita kur është fjala për mëditjet dhe beneficionet tjera që sjell posti i deputetit.
Nga tri seanca janë thirrur në sesionin vjeshtor, deputetët janë kujdesur që të nënshkruhen në fillim për ta marr mëditjen, pavarësisht se e kanë bllokuar zhvillimin e seancës. Shoqëria civile po e quan hipokrizi që në njërën anë të bllokohet jeta parlamentare, e në anën tjetër të përfitosh të gjitha beneficionet që sjell pikërisht ai institucion.

Sekretari i Kuvendit të Kosovës Ismet Krasniqi tha për KosovaPress përmes telefonit se ata si administratë nuk merren me përmbajtjen e seancave, por vetëm me evidentimin e pjesëmarrjes së deputetëve dhe pastaj i dërgojnë tek financat dhe bëhet shpërndarja e mëditjeve.

“Ne nuk merremi me përmbajtjen e seancës, ne vetëm e evidentojmë pjesëmarrjen dhe i dërgojmë tek financat për shpërndarjen e mëditjeve”, tha Krasniqi.

Por, ata të cilët monitorojnë punën e institucionit me të lartë ligjvënës në K osovë, thonë se ata të cilët po e bllokojnë punën e Kuvendit do duhej të refuzonin edhe mëditjet dhe beneficionet tjera që sjell posti i deputetit.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për KosovaPress se meqë është bllokuar jeta parlamentare brenda seancave, është gjithçka e pakuptimtë që ata të kompensohen me mëditje për, siç thotë Selmanaj, atë mospunë.

“Për çudi unë po i shoh në këto seancat që janë bllokuar të gjithë deputetët kujdeseshin në fillim të seancës të nënshkruhen nga të gjitha partitë politike, në pushtet dhe ato në opozitë. Prandaj është shumë e pasinqertë dhe një far lloj hipokrizie me qytetarët e Kosovës, sepse sikur krijohet përshtypja se nga privilegjet që sjell posti i deputetit vështirë heqin dorë, ndërkohë që për të bërë disa aksione simbolike, skena teatrale brenda Kuvendit të Kosovës, për ato nuk përtojnë edhe bllokojnë jetën institucionale në këtë vend”, tha Selmanaj.

Deputetët përveç mëditjeve që marrin për pjesëmarrje në seancat që janë ndërprerë ende pa filluar, përfitimet nga Kuvendi të cilin po e bllokojnë që të funksionojë normalisht po i shfrytëzojnë edhe përmes vizitave jashtë vendit dhe me pjesëmarrje nëpër komisione, ku mëditjet janë goxha të mira. Selmanaj thotë se partitë opozitare kur janë të gatshme ta bllokojnë jetën parlamentare në Kosovë, pse mos t’i bllokojnë edhe vizitat jashtë shtetit dhe komisionet parlamentare.

Madje, sipas tij, të tentohet të uzurpohet apo bllokohet jeta parlamentare, e ndërkohë benefitet që vijnë nga ai institucion të mos i bllokosh dhe të mos i refuzosh, sikurse ishte rasti me disa deputetë të opozitës që bënin komente nga hotele të Evropës për skenën politike në Kosovë, flet përtej hipokrizisë.

“Në fakt shiheshin disa postime të deputetëve të Kuvendit nga radhët e opozitës me theks të veçantë, që shiheshin nga disa hotele të Evropës dhe ata vlerësonin nga atje skenën politike të Kosovës dhe pse është mirë të bllokohet jeta parlamentare. Ndërkohë kishin harruar që atje kishin shkuar pikërisht si përfaqësues të këtij institucioni të Kosovës. Them që duhet menduar mirë para se të vendosësh ta bllokosh një institucion dhe nëse vendos ta bllokosh atëherë duhet të refuzosh të gjitha të mirat që mund të vijnë nga ai institucione. Sepse sikur krijohet një perceptim në masë që për interesa të tyre personale dhe për xhepat e tyre ata janë të pakomprom is”, theksoi ai.

Kuvendi i Kosovës në seancën e parë për sesionin vjeshtor opozita bllokoi zhvillimin e punimeve duke kërkuar heqjen e nënshkrimit nga kryeministri Isa Mustafa në marrëveshjen me Serbinë për themelimin e Asociacionit dhe anulimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Njëjtë vazhdoi edhe në dy seancat tjera, njërën kur kryeministri Mustafa kishte kërkuar të raportojë për marrëveshjet e arritura, madje u gjuajt me vezë, derisa tjetra ishte të enjten e kaluar, e cila nuk u la të zhvillohet pavarësisht se nuk ishte në rend dite raportimi i kryeministrit.

Përndryshe, ja se si është rregulluar ligjërisht çështja e mëditjeve të anëtarëve të Parlamentit:

Sipas vendimit të Kryesisë së Kuvendit nr. 03-V-243. Date 11.12.2009.

Pika 4. Kompensimi mujor funksional caktohet · Kryetari i komisioni t te përhershëm 400.00 Euro

  • Kryetari i komisionit funksional 200.00 euro
  • Nënkryetaret e Komisioneve 50% nga komisioni përkatës

. Pika 5. Kompensimi për pjesëmarrje te deputetëve ne seanca plenare 240.00 Euro.

Pika 6. Kompensimi për pjesëmarrje ne punën e komisioneve 160.00 Euro dhe 50 % për dy komisione

Pika 7. Për mospjesëmarrje ne një seancë plenare ose ne mbledhje te komisionit nga dy te obligueshme, kompensimi zbritet 50%.

Pika 8. Kompensimi për shpenzimet e udhëtimit, për pjesëmarrje ne punimet e seancës plenare dhe ne komisione, caktohet si vijon: deri ne 30 km 10 euro, deri ne 60 km 20 euro dhe mbi 60 km 30 euro.