Bllokohet një autostradë në Austri, shkak i refugjatëve

Policia austriake këtë mëngjes ka mbyllur pjesën e autostradës nga kufiri hungarez për në Vjenë për shkak të kolonës së gjatë të refugjatëve që janë duke lëvizur në këtë drejtim, raporton Anadolu Agency (AA).

Bota

11/09/2015 15:54

Refugjatët kanë formuar një kolonë të gjatë, që sipas zëdhënësit të policisë austriake, Grehard Koller, ka më shumë se njëmijë persona. Refugjatët herët këtë mëngjes thyen kordonin e policisë dhe u nisën në një rrugë të gjatë 60 kilometra drejt kryeqytetit të Austrisë.

Autoritetet austriake me ditë transportojnë refugjatë me trena nga kufiri me Hungarinë në Vjenë, kurse Koller ka thënë se për sot janë planifikuar edhe trena shtesë.

Në ditët e fundit, mijëra emigrantë të cilët kanë lëvizur nga Greqia për në Evropën Perëndimore, kanë arritur në stacionin e trenit në Vjenë, kurse shumica e tyre tashmë janë nisur për në Gjermani.