Bllokohen pothuajse të gjitha rrugët e Kosovës

Dhjetëra persona kanë bllokuar aksin rrugor Prishtinë-Gjilan, respektivisht vendin e quajtur Llabjan për të kundërshtuar ardhjen e një delegacioni serb në vendin tonë.

Lajme

29/03/2017 10:49

Ndonëse ishte paraparë që sot të vinte edhe kandidati për president të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi.

Ndryshe, kryeministri Vuçiq deklaroi se nuk do të udhëtojë të mërkurën në Kosovë, sepse nuk pranon, siç tha, shantazhe nga Prishtina.

“Nuk vjen në konsideratë ky lloj presioni dhe cirku që ka bërë Prishtina”, ka deklaruar ai.

Edhe rruga që vjen nga Prishtina për në komunat veriore të Kosovës, është e bllokuar. Banorët shqiptarë të Vushtrrisë dhe Mitrovicës kanë bllokuar rrugën magjistrale për të ndalur serbët të takohen me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq, i cili vjen për fushatë zgjedhore.

Këtë e bëjnë të ditur burime të gazetametro.net në Mitrovicë. Ata thonë se rruga është bllokuar në hyrje të Vushtrrisë dhe në hyrje të Mitrovicës.

Qytetarët kanë dalë në rrugën kryesore në Vushtrri (tek Banjska Trans) e gjithashtu në hyrje të Mitrovicës në vendin e njohur “te varrezat e serbëve”, ku ndodhet edhe rruga që të dërgon në Leposaviq.

“Vuçiq na le rehat”, janë parullat që kundërshtojnë ardhjen e Vuçiqit.

Ndërkaq, më herët edhe banorët e Rahovecit kishin bllokuar rrugën në Hoçë të Madhe.

Ndryshe, këto bllokime rrugësh po ndodhin si kundërshtim i mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, dhe ardhjes së Vuçiqit në Leposaviq. /Express/