“Blindohet” Tirana, banorët hedhin tymuese dhe vezë

Banorët janë shprehur se kanë kërkuar leje për të protestuar, leja i është refuzuar por ata kanë vazhduar me planin e tyre.

Lajme

15/11/2018 11:47

Vijon në ditën e 12 protesta e banorëve të “Unazës së Re”. Ditën e sotme, ata janë zhvendosur para Bashkisë së Tiranës, duke i bërë thirrje kryebashkiakut që të tërhiqet nga vendimi për prishjen e banesave të tyre.

Rreth 200 banorë me thirrje dhe me një banderolë të madhe ku shkruhet “Mashtrim”, e quajnë korruptiv projektin që do u prishë shtëpitë e bizneset tek zona e Astirit.

Ndërkohë, pas godinës së Bashkisë, është vendosur një numër i madh me policë të Rendit, bashkiak dhe “Forcat Shqiponja”.

Banorët janë shprehur se kanë kërkuar leje për të protestuar, leja i është refuzuar por ata kanë vazhduar me planin e tyre.

Ata kërkojnë dëmshpërblim të plotë për shtëpitë që do prishen, të legalizuara apo jo. Sipas tyre, projekti është korruptiv.

“Di të them që ne jemi, kryetari i Bashkisë na quajti shpellarë. Nuk e di kur është bërë tirans kryebashkiaku, por ne kemi shumë dokumente të rregullta. Kam certifikatë pronësie, kam leje legalizimi, kam hipotekë, paguaj taksat. Pse jam shpellar mo zoti kryetar,” u shpreh një prej protestuesve.

Ndërkohë, protestuesit kanë nisur të hedhin tymuese dhe vezë para Bashkisë së Tiranës.