Biznesmen nga Turqia të interesuar për të investuar në Kosovë

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, takoi të premten një grup biznesmenësh nga Turqia, të cilët merren me agrobiznes, turizëm, përpunim të drurit, teknologji informative dhe shërbime.

Lajme

22/05/2015 15:58

Ministrja Bajrami, gjatë takimit, i ka njoftuar biznesmenët turqë me kushtet dhe mundësitë e favorshme që i ofron Kosova për investitorët e huaj, thuhet në një njoftim të MTI-së.

Duke vlerësuar faktin se investimet turke në Kosovë po rriten vit pas viti, ministrja po ashtu shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të përmirësuar edhe më tutje ambientin për investime të huaja në Republikën e Kosovës.

Biznesmenët nga Turqia vlerësuan kushtet e krijuara për investimet e jashtme në Kosovë, duke shprehur gatishmëri për të shtrirë veprimtarinë e tyre biznesore në fusha të ndryshme.

Ky takim është realizuar nga Konsullata e Kosovës në Stamboll në bashkëpunim me Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë.