Bizneset vendore janë të zhgënjyera me prokurimin publik (Video)

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) me qëllim të avancimit të partneritetit me bizneset vendore dhe në funksion të zhvillimit ekonomik.

Lajme

08/09/2014 15:30

Kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu tha se qëllimi substancial është kjo marrëveshje të mos jetë e shkruar vetëm në letër, por të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik, të jetë në funksion të përmirësimit të imazhit dhe të jetë në funksion të barazisë për të gjitha ndërmarrjet në Kosovë, e jo të jetë në funksion të grupeve të caktuara.

“Përmes këtij memorandumi mëtohet që të arrihet zhvillim i qëndrueshëm ekonomik. Pra, në rënd të parë të avancohet dialogu dhe partneritet mes KRPP-së dhe komunitetit të biznesit, dhe në rend të dytë, të bëhet informim rreth mundësive të reja. E gjithë kjo me qëllim që të ketë një kontribut ekonomik, që përmes një procesi të tillë transparent dhe funksional të prokurorimit publik të arrihet efekte pozitive, siç është zhvillim i qëndrueshëm ekonomi, kontribut në aspektin social, dhe mbi të gjitha një prioritet kompanive dhe prodhimit vendorë në Kosovë”, tha Gërxhaliu.

“Po ashtu, në qoftë se do ta kemi një prokurim të mirëfilltë, atëherë do të kemi atraktivitet për investitorët e huaj, të cilët për fat të keq janë duke na munguar dhe mbi të gjitha përmes këtij dialogu, ne do të përmirësojmë imazhin e Kosovës dhe do të promovojmë një frymë të re të komunikimit direkt lidhur me gjitha këto mundësi që i ofron KRPP-ja”, tha Gërxhaliu.

KRPP-ja është në punim e sipër të strategjisë vendore 5 vjeçare për prokurim publik, strategji kjo për vitin 2015 deri në vitin 2020.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të këtij memorandumi, u vlerësua se ky komision duhet të ndryshojë konceptin e tyre dhe se ajo duhet t’i konsiderojë bizneset vendore si partner, e jo rival.

Brahim Selimaj, kryetarë i Shoqatës së Ndërmarrjeve Ndërtimore dhe Prodhues të Materiale Ndërtimore të Kosovës, tha se bizneset nuk janë të kënaqur për cilësinë e prokurimit publik në Kosovë.

“Nëse flasim për cilësinë e prokurimit që është kryer në Kosovë, ne nuk jemi të kënaqur, pjesa më e madhe e ndërtimtarëve në Kosovë janë të zhgënjyer, sepse tenderët merren nga njerëzit të cilët nuk kanë investuar, nuk kanë kapacitete për t’i kryer punët“, tha ai

Safet Hoxha, kryetar i KRPP-së, tha se me nënshkrimin e këtij memorandumi duhet të institucionalizohet një dialog dinamik dhe i drejtpërdrejtë, dhe se bizneset vendore duhet të trajtohen si partner të sistemit dhe jo si rival.

“Është moment i ri në jetën e ekonomike për shkak se tregu publik në Kosovë ka pjesëmarrje jashtëzakonisht të lartë në aktivitetin e bizneseve kosovare dhe kemi konsideruar se ajo çfarë na vyen neve si prokurim publik është ndryshimi i konceptit tonë”.

“Ne nuk duhet të ngurojmë që bizneset t’i trajtojmë partnerë të sistemit, jo rival, por t’i shohim partnerë strategjik në zhvillimin e këtij vendi. Këtë vend nuk mund ta zhvillojë askush përpos bizneseve vendore. Vendorët janë ata që në kuptimin ekonomik dhe kuptimin simbolik janë duke u martirizuar në zhvillim e këtij vendi, sepse politikat e përgjithshme në Kosovë, që e shoqërojnë aktivitetin biznesor, në kuptimin e kredive, kamatave fiskale, prokurimit, janë politika të cilat ne duhet t`i rishikojmë dhe t`i shtyejmë në funksion të zhvillimit të biznesit vendorë”, tha Hoxha.