Bizneset në sfidë për gjetjen e punëtorëve të kualifikuar

Sistemi arsimor në Kosovë nuk prodhon kuadro të kualifikuara për tregun e punës. Andaj bizneset kanë problem në gjetjen e personave të kualifikuar. Kështu u tha në tryezën, ku u prezantua raporti hulumtues, “Përgatitja profesionale për tregun e punës: analizë e sektorit privat të shërbimeve”, të organizuar nga Instituti GAP.

Lajme

18/05/2017 11:07

Hulumtimi është kryer me anketimin e 28 bizneseve private, raporton Ekonomia Online.

Berat Thaçi nga Instituti GAP, tha se shkalla e përgjithshme e papunësisë është 28 për qind, duke bërë Kosovën njërin ndër vendet me papunësinë më të lartë në Evropë.

“Shkalla e papunësisë së të rinjve është 52.2 për qind. Ky nivel i papunësisë përcillet me mospërputhje të aftësive të fituara nga institucionet arsimore dhe atyre që kërkohet në sektorin privat,e cila e çon vendin në një situatë të palakmueshme sociale-ekonomike”, tha Thaçi.

Nora Jusufi nga Instituti GAP gjatë prezantimit të analizës tha se vendi ka një papunësi të madhe e sidomos te rinia. Ajo tha se është rritur shkalla e të rinjve që punojnë pa kontrata të punës.

“98 për qind të bizneseve kanë punësuar  punëtorë të rinj dhe prej tyre 82.1 për qind kanë hasur në vështirësi në gjetjen e personave të kualifikuar”, tha ajo.

Sipas saj, kompanitë gjatë këtij hulumtimi janë pyetur se a ofrojnë trajnime për punëtorët e tyre .

“Të anketuarit kanë pohuar se zakonisht kanë marrë ndonjë ekspert për trajnimin e punëtorëve dhe asnjëra nga kompanitë nuk ka bashkëpunuar me qendrat e kompetencës ku del se sektori privat nuk e ka fituar ende besimin  në cilësinë e të diplomuarve në këto institucione”, tha ajo.

“Kompanitë janë pyetur për mendimet se cilat janë aftësitë më të kërkuara ku del se shumica prej tyre kërkojnë njohjen e gjuhëve të huaja përdorimi i internetit vetiniciativa, etj. Në anketë është vërejtur se bizneset janë shprehur se edhe pa certifikata të aftësive janë të gatshëm të punësojnë persona që e vetdëshmojnë punën”.

Ajo tha se investimi në arsimimin profesional është motor për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për të bërë këtë duhet të prodhohen në kuadro të cilat janë në përputhje me kërkesat e tregut të punës.

“Përkundër faktit që qendrat e kompetencës janë në dispozicion për qytetarët e vendit atyre u mungojnë mjetet për realizimin e punës praktike” tha Menduhije Krelani nga Agjencia për Arsim dhe Aftësim profesional dhe Arsim për të rritur.

Analiza e Institutit GAP ka arritur në përfundimin që programet arsimore në Kosovë nuk prodhojnë kuadro të kualifikuara dhe të nevojshme për tregun e punës, dhe si rrjedhojë rekomandon koordinim më të mirë të kurikulave dhe kërkesave të tregut të punës, duke përfshirë sektorin privat në procesin e hartimit të politikave të edukimit, koordinim të punës së institucione e të arsimit dhe të punësimit.