Bizneset në hall

Bizneset nuk u besojnë institucioneve të Kosovës. Një anketë e zhvilluar me 600 biznese të ndryshme ka nxjerr në pah se më shumë se 54 për qind e tyre kanë pasur rënie të fuqisë së tyre.

Lajme

20/12/2013 14:12

Bizneset në Kosovë po përballen me situatë gjithnjë e më të vështirë.

Çdo vit, sektori më i rëndësishme për të ardhmen e vendit po përballet me barriera të njëpasnjëshme.

Një anketë e zhvilluar me 600 biznese të ndryshme, ka dalë se më shumë se 54 për qind e tyre kanë pasur rënie të fuqisë së tyre, përderisa 21 për qind kanë pasur rritje, por kjo rritje ka ndodhur për shkak të lidhjeve të mira që kanë pasur me qeverinë.

Kështu thuhet në raportin “Performanca, barrierat dhe besueshmëria e bizneseve në Kosovë”, i realizuar nga Riinvest.

Ky raport tregon nivelin e ulët të besimit që bizneset kanë tek institucionet.

“Nga rezultatet e anketës del se bizneset përgjithësisht nuk ju besojnë institucioneve. Më së paku i besojnë gjykatës. 72% e tyre nuk i besojnë fare gjykatave, 24% e tyre i besojnë deri diku ose shumë, dhe pjesa tjetër është neutrale”.

Sipas këtij raporti, barriera më serioze për të zhvilluar një biznes në Kosovë mbetet ende mungesa e sundimit të ligjit.

“Barrierat më serioze tek bizneset ndërlidhen me mungesën e sundimit të ligjit”.

“Barrierat të cilësuara sit ë brendshme (shkathtësitë e punëtorëve, rregullorja për punëtorë dhe standardet e prodhimit) vlerësohen si më të padëmshme në krahasim më barrierat që lidhen me sundimin e ligjit dhe me çështjet fiskale e financiare”.

Bardhyl Meta nga Oda Ekonomike Gjermane, tha se në Kosovë paguhet dy herë më shumë nga mesatarja në rajon për sigurimin fizik të bizneseve. Sipas tij,e gjithë kjo është si shkak i mosfunksionimit të ligjit.

“Krejt kjo ndërlidhet me mosfunksionimin e ligjit, mosfunksionimin e institucioneve, atyre për rend dhe siguri dhe të gjyqësisë”, tha ai.

Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se të gjeturat e raportit nuk janë befasuese duke e parë gjendjen reale të bizneseve në Kosovë.

“Duke parë situatën e rëndë të bizneseve, të gjeturat e këtij raporti nuk janë befasuese për një rangim të tillë. Shqetësuese, po ashtu është edhe zvogëlimi i konsumatorëve tek bizneset vendore. Madje vendi ka një reputacion të keq tek investitorët e huaj, pasi që, ata u frikohen ndërrimit të shpeshtë të ligjeve në aspektin biznesor”.

Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike, tha se anketat e drejtpërdrejta reflektojnë shumë më drejt situatën e bizneseve, se sa vetëm një vlerësim i përgjithshëm i tyre.

“Biznesi ka pasur shpresa se këtë vit do të përmirësohet gjendja, por vetëm fjalë dhe deklarata të mëdha ka pasur në këtë aspekt. Me shqetësim po e vërej se nuk ka ndonjë lëvizje, apo indikacion për përmirësim të situatës së biznesit në Kosovë. Si duket Qeveria e Kosovës nuk e ka në agjendën e saj politikat ekonomike, por vetëm ato politike”.

Përfaqësues të shoqatave të bizneseve dhe ekspertë të ekonomisë kanë vlerësuar se këto të gjetura nuk janë befasuese, pasi që pjesa më e madhe e tyre po përsëriten vit pas viti.