Bizneset maqedonase kërkojnë largimin e pengesave tregtare me Kosovën

Biznesmenët kërkojnë që qeveria përmes marrëveshjeve me vendet fqinje t’i zvogëlojë pengesat administrative dhe me këtë të përshpejtohet shkëmbimi tregtarë mes vendeve të rajonit.

Lajme

26/06/2014 21:11

Të kota janë investimet në infrastrukturën rrugore nëse ka pengesa të shumta administrative për qarkullimin e mallrave mes vendeve të rajonit. Ky është konkluzioni i komunitetit të biznesit ë pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP).

“Për të ardhur një transformator nga Prishtina në Maqedoni, nevojiten 5 deri në 7 ditë, ose nga Hani i Elezit e deri këtu sërish nevojiten 5-7 ditë. Një ditë më parë duhet të lajmëroheni në drejtorinë e doganave në Prishtinë që t’ju përgatitin dokumente për eksport të përkohshëm. Për t’u nisur kamioni, malli doganohet vetëm në Prishtinë. Kur të arrijë këtu, e njëjta procedurë, një ditë e paraqisni dhe dy ditë për doganim”, tha Ace Antevski, nga kompania Rade Konçar.

Biznesmenët thonë se janë në hall me kontrollet e dyfishta doganore. Ata kërkojnë kontrollim vetëm të njëhershëm mallrave, njofton Alsat-M.

“Duhet të bisedojmë edhe me partnerët për vendosjen e kontrolleve transitore, sidomos kur është fjala për mall në lëvizje. Nëse kemi koordinim të mirë, komunikim të mirë elektronik mes shërbimeve, ndërsa mendoj se shteti jonë është i gatshëm për këtë lloj komunikimi, do mund të mendohet për një sistem të kontrollit të njëanshëm të mallrave”, u shpreh Antoni Peshev nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.