Bizneset indiane të interesuara për Kosovën

Një delegacion i bizneseve nga India kanë vizituar sot Aleancën Kosovare të Bizneseve (AKB), ku janë pritur për gjetjen e mundësive për investime në Kosovë.

Lajme

15/01/2015 14:53

Bizneset indiane janë të gatshme për të investuar në Kosovë. Këtë gjë e kanë bërë të ditur një grup i biznesmenëve indianë, të cilët po qëndrojnë këto ditë në vend.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, i informoi bizneset indiane lidhur me kushtet dhe mundësitë e mira që ofron Kosova për bërje të biznesit dhe investime, e të cilat janë shumë më të favorshme se sa në vendet tjera të rajonit.

Shahini tha se Kosova ka avancuar mjaft në legjislacion në krahasim me vendet tjera, gjë e cila, sipas tij, ka ndikuar në ardhjen e shumë investitorëve të huaj.

“Derisa India është një fuqi, në anën tjetër Kosova edhe pse një vend i vogël ka potenciale të mëdha për investime të huaja, nga ku mund të eksportohet edhe në vendet dhe tregjet përreth. Ju ftojmë që të investoni në Kosovë, sepse pos kushteve shumë të favorshme, mund të shfrytëzoni vendin tonë edhe për prodhim dhe eksport drejt vendeve të Ballkanit dhe Bashkimit Evropian, që janë afër dhe me interes të madh për investitorët indian”, tha Shahini.

Nga ana tjetër, Harpret Singh, përfaqësues i bizneseve nga India, tha se janë të lumtur që janë në Kosovë për të eksploruar mundësitë dhe potencialet për investime.

“Shpresojmë se së shpejti India do të nisë me rritjen e bashkëpunimit bilateral me Kosovën dhe gjetjen e mundësisë për investime konkrete”, tha Singh.

Po ashtu, bizneset indiane u interesuan më shumë për investime në fushën farmaceutike, atë të IT-së dhe ushqimit.