Bizneset dhe qytetarët nuk ia kthejnë bankave mbi 100 milionë euro kredi

Bizneset dhe qytetarët e Kosovës, kanë marrë nga bankat që veprojnë në Kosovë, mbi dy miliardë euro kredi. Niveli i kthimit të kredive është në nivel të kënaqshëm në krahasim me vendet e rajonit, por shuma e kredive të këqija ka arritur në mbi 100 milionë euro.

Lajme

10/05/2017 12:46

Të dhënat e BQK-së, tregojnë se kreditë në Kosovë, kanë arritur në 2.173.5 miliardë euro.

Besnik Kada zëdhënës i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), ka bërë me dije se niveli  i kredive joperformuese shënoi rënie të mëtejme, duke rënë në 4.5 përqind në mars 2017 nga 5.9 përqind sa ishte në mars 2016.
“Janë me shkallën më të ulët në rajon ku disa vende kanë edhe shifra dyshifrore të kredive joperformuese”, ka thënë Kada për RTKlive.

Kurse kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka thënë se megjithëse që bankat që veprojnë në Kosovë, fituan 100 milionë euro në vitin e kaluar, ato nuk po i zbresin normat e kredive që do të krijonin më shumë mundësi zhvillimore.

“Ulja e nivelit të kredive joperformuese, tregon se Kosova është duke pasur një performancë të mirë në sektorin bankar. Por edhe bankat duhet që të ulin kamatat dhe jo të marrin profitet e tyre nga xhepi i varfër i qytetarit kosovar”, ka thënë ai për RTKlive.

Ndërkaq eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa, ka thënë se sektori bankar  është një nga instrumentet financiare shumë të rëndësishme dhe themelore në financimin e ekonomisë së vendit dhe ka një qëndrueshmëri të mirë financiare të bazuar edhe në të gjithë treguesit makroekonomik dhe makro financiar.

“Andaj, një arsyeje është se pse ka rënie te kredive jo përformuese është se kualiteti i portofolit të kredisë, i cili edhe në të kaluarën ishte i mirë dhe  ka pasur indikacione përmirësuese si ka pësuar rënie nga 5.9 sa ishte në mars të vitit 2016, në  4.5 në  aspektin e  norma te kredive jo performuese, për këtë rënie ka ndikuar  edhe niveli i rritjes se bankave në vend”, ka thënë ai për RTKlive.

Sipas tij kësaj i kontribuon pastaj roli i politikes së Bankës Qendrore te Kosovës që po zhvillon politikat bankare. “Sektori bankar vazhdon të ketë një nivel të lartë të kapitalizmit dhe krijimit të kushteve për një qëndrueshmëri në sektorin financiar dhe ekonomik”, ka thënë ai.