Bizhutë e veçanta të prizrenasit: Nga Shkupi në Prishtinë, destinacioni i ri Saranda (Foto)

Nijazi Kukësi , 25 vjeçari nga Prizreni, ka sjellë një frymë të re në artin e punimeve të dorës në Prishtinë. Dizajni, forma dhe përzierja e ngjyrave nga një material jo i zakonshëm i bëjnë vathët dhe qaforet e tij unikale.

ShowBiz

15/06/2015 10:36

Punimet e Nijaziut janë kryesisht të krijuara nga materiali fimo, që është një lloj i veçantë i plastelinës. Për përpunimin e kësaj plasteline duhen mjete dhe makina të posaçme që mundësojnë shkrirjen dhe pjekjen e saj.

Tash e dy muaj, ky djalosh së bashku me disa të rinj të tjerë janë vendosur në sheshin e Prishtinës, nga ku i shesin aksesorët e veçantë. Për dallim nga bizhuteritë e tjera këto nuk janë serike, pasi krijohen sipas preferencave të klientëve. Blerësit më të shpeshtë janë të rinjtë, kryesisht femrat, të cilat më tepër parapëlqejnë vathët prej plasteline.

Ky pasion lindi para gjashtë viteve gjatë studimeve katër vjeçare në Fakultetin e Farmacisë në Tetovë, ku Nijaziu së bashku me shokun e tij të dhomës nga Dibra, sollën një frymë të re të artit në Shkup. Aty patën sukses, çka i frymëzoi për të vazhduar më tej, pasi ai braktisi studimet.

“Zanatin e filluam më shumë për qejf se nuk kishte ndonjë fitim të madh prej tyre, thjesht dëshira për të sjellë diçka të re në vend,”u shpreh ai.

Pas Shkupit Nijaziu i prezantoi punimet e tij të dorës edhe në vendlindjen e tij, Prizren ku më shumë shiteshin qaforet metalike, sesa ato nga materiali fimo.

Tash e dy muaj në kryeqytetin e Kosovës duket se po i ecën mjaft mirë. Por ai s’do të ndalet këtu. Saranda është destinacioni i rradhës.

“Tash verës po planifikojmë që së bashku si grup të shkojmë në Sarandë, dhe ndoshta ta afirmojmë pak këtë lloj arti të aksesorëve. Mendoj se në Prishtinë në përgjithësi i vlerësojnë më shumë punimet artistike. Sheshi është vend mjaft i frekuentuar nga të gjithë njerëzit, edhe pse kemi hasur në probleme për qëndrimin tim këtu nga inspeksioni”. tha Nijaziu.

Pas gjithë këtyre viteve ëndrra e Nijaziut është hapja e një dyqani, ku të ekspozojë punimet e tij, pa u frikësuar nga askush.

/Dea Musliu – “Vajzë Dëgjohu” – Kosovalive360/