Bisedat e presidentit amerikan Clinton me atë rus Yeltsin, gjatë luftës në Kosovë

Në shtatë publikime, janë nxjerr bisedat e presidentit të Amerikës, Bill Clinton, me atë rus Boris Yeltsin, në të cilët ata dakordësohen e përplasen për mënyrën e zgjidhjes së çështjes të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998-1999

Lajme

04/09/2018 13:33

Kosova u prek e fundit nga gjakderdhja e tmerrshme ballkanase, e nisur nga diktatori serb Sllobodan Millosheviq – i udhëhequr nga ëndrra serbomadhe, që përfundoi me shpërbërjen e Jugosllavisë.

Tmerri që Europa dhe bota pa teksa kjo dramë po shpalosej, si në teatër, i kombinuar me mosvëmendjen e nevojshme ndaj Bosnjës, që u kthye në kasaphane, bëri që kur radha i erdhi Kosovës, ta dinin çka Millosheviq kishte në plan.

Ndaj, liderët europianë, bashkë me presidentin amerikan Bill Clinton, bënë ç’mundën që repriza e atij mbi-krimi të mos luhej në Kosovë.

Klan Kosova ka siguruar transkriptat e bisedave të presidentit amerikan Clinton me atë rus Boris Yeltsin, ku tregohen prapaskenat e zhvillimeve që lidhen me triumfin e paqes – çlirimin e Kosovës.

Të martën do të botohen shkëmbimet mes dy presidentëve, gjatë verës së vitit 1998, ndërsa e gjithë seria e publikimeve është e ndarë në shtatë sish.

Si i mashtroi Millosheviqi të dy, Clinton-in dhe Yeltsin-in?

Çfarë tha Yeltsin, kur Clinton i tregoi se do ta bombardojnë Serbinë?

Në çka u morën vesh, e në çka jo, kur folën për çarmatosjen e UÇK-së dhe kthimin e refugjatëve?

Si tentoi Yeltsin ta bindë Clinton-in t’u japë fund bombardimeve, pa u larguar forcat serbe nga Kosova

Për çka nuk pajtohej Yeltsin me Clinton-in, para miratimit të Rezolutës 1244?

A i frikësoheshin ata shtrirjes së UÇK-së në terren, pas mbarimit të bombardimeve?

Si u shmang përplasja NATO – Rusi në aeroportin e Prishtinës?

*

Yeltsin: Përshëndetje Bill.

Clinton: Përshëndetje Boris. Më vjen mirë që ta dëgjoj zërin.

Yeltsin: Bill, kam punuar shumë sot. Kemi pasur një tak të vështirë, prë të mos thënë të ashpër, me Millosheviqin. Kemi punuar në një dokument – marrëveshje bialterale – ku ai konfirmon pikat e dokumentit të Grupit të Kontaktit. Do t’ua dërgojmë këtë marrëveshje. Ai ka rënë dakord me pikat kryesore, pra që zgjidhja të gjendet politikisht. Mund të më urosh për këtë gjë.

Clinton: Të përgëzoj. Dua ta shoh këtë deklaratë – mezi pres ta shoh. Por mendoj që pyetja kryesore e cila duhet shtruar është, kur do t’i tërheqë forcat e sigurisë nga Kosova, dhe a do t’i nisë bisedimet me kosovarë menjëherë. Për çfarë afatesh kohore po flasim?

Yeltsin: Këto gjëra i ke në deklaratë. Të gjitha janë në të. Mendoj që është dokument i mirë. Kemi përparuar goxha shumë në këtë çështje, megjithëse mendoj që mund të kishim bërë më shumë në disa pika. Por me të është e vështirë të bisedosh.

Clinton: Duket që ke bërë goxha shumë dhe i ke shtyrë gjërat përpara. Të falënderoj shumë.

Yeltsin: Është pjesë e përpjekjeve tona të përbashkëta. Gjëja tjetër me rëndësi është të arrihet një marrëveshje paqësore.

Clinton: Po. Mendoj se do të ndihmonte shumë tani, nëse Primakov do t’i telefononte Madeline(Albright), meqë Strobe Talbott do të takohet me të në Kopenhagë, të hënën.

Yeltsin: Në rregull, do t’i them Primakov-it.

Clinton: Mirë. Të faleminderit Boris.

Yeltsin: Në rregull, mirupafshim.

*

Sllobodan Millosheviq jo vetëm që nuk e respekton këtë deklaratë të përbashkët, por nis fushatë intensive ushtarake në Kosovë, me qëllim të spastrimit etnik.