Birrë hallall

Ideatorët e serisë më të re të Birrës Tirana, nuk besoj se e kanë pasur për qëllim që të bëjnë një marketing të ‘pa shije’ produktit të tyre, e aq më pak kanë pasur për qëllim që të ofendojnë shumicën myslimane si në Shqipëri, poashtu edhe në Kosovë.

Opinion

22/04/2015 13:45

Në qytetin tim, në Prishtinë, në një kafe të tymosur, ne afërsi të vendit që dikur ngrihej një sinagogë, kamarieri më shërbeu mua dhe disa miqve të mi me birrë Tirana. Kjo birrë në amballazhin e saj të ri ka të afishuar imazh nga qendra e Tiranës – shtatorja e Skënderbeut, Kisha Katolike dhe Xhamia e Tiranës!

Ndonjë fanatiku fetar të besimit muhamedan, mund të mos i ketë ikur ky detaj dhe mbase mund ta ketë irituar, pasi ai gravohet sipër qelqit që mbanë një lëng ‘haram’, për të gjithë pasardhësit e profetit Muhamed!  Ky ‘përcudnim’ e ‘konglomerat’ i vlerave, ndoshta do ta shkatërronte gjithë rejtingun e brendit ‘hallall food’, sikur birra Tirana të ishte e kërkuar edhe në vendet evropiane, ku janë të vendosur emigrantët, respektivisht konsumatorët myslimanë. Dikush, qoftë ky edhe i krishterë, mund ta konsiderojë si blasfemi amballazhin e ri të birrës Tirana. Për ironi, kundrejt xhamisë dhe kishës qëndron shtatorja e Skenderbeut, që ashtu siç shkruhet në libra të historisë, si fëmijë quhej Gjergj, e që do të konvertohej në islam, do të shkollohej dhe do të luftonte me titullin Skënderbe për qëllimet ekspansioniste të Perandorinë Osmane, deri në një moment kur do t’i kthehej Krujës, e më pas duke luftuar turqit, nga Papa Calixtus i III – të do të laureohej si ‘atlet i Krishtit”.

Ideatorët e serisë më të re të Birrës Tirana, nuk besoj se e kanë pasur për qëllim që të bëjnë një marketing të ‘pa shije’ produktit të tyre, e aq më pak kanë pasur për qëllim që të ofendojnë shumicën myslimane si në Shqipëri, poashtu edhe në Kosovë. Mirëpo, reminishenca nuk ka mundur që t’i kthejë tek periudha më e errtë e Shqipërisë, për të rimodeluar diçka nga periudha komuniste, kur kjo birrë ndër të tjera, në markën e saj mbrojtëse kishte edhe yllin e komunizmit, yllin e ‘njeriut të ri’ që kishte eklipsuar dhunshëm gjithë trashëgiminë e njerëzve, kulturës e vendit.

Është e vështirë që këtë mozaik të vockël imazhesh, ta vendosësh dhe interpretosh brenda konturave të një studimi shkencor epistemologjik, qoftë ai edhe si teoria ‘anything goes’ te Paul Karl Feyerabend, apo edhe duke gjurmuar në antikitet tek mendimet e Heraklitit për fenomenet dhe ‘ndryshimin e vazhdueshëm të gjithçkaje’.

Afërsisht 40 vjet më parë, Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës kishte arritur të bëhej vendi i parë ateist në botë. Atëbotë, ky vend u zhvesh nga e kaluara, historia, religjioni e kultura. Gjithë trashëgimia ‘e dobishme’ e shoqërisë shqiptare e etabluar ndër vite, e poashtu e kultivuar ndër dekada e shekuj do të përdorej me qëllim të fuqizimit të propagandës shtetërore dhe ndërtimit të kultit të liderit, që s’pyeste fare për lidhjen (religiere) e njerëzve me Zotin.  Zoti ishte ai! Pjesa tjetër e botëkuptimeve të trashëguara do të ‘zhbëheshin’ duke u parë si të padobishme për shoqërinë. Në fakt ky regjim represiv diktatorial  nuk kishte arritur asnjëherë që t’i zhbënte, por kishte arritur që gjithë atë trashëgimi ta mbante të strukur, të dremitur në ‘ndërdijen’ e  mendësisë shoqërisë që po vuante nga ky regjim.

Aparati shtetëror represiv, me metodat që kanë shkaktuar tundim kolektiv të një shoqërie të tërë, patjetër se pas një kohe (periudha postdiktatoriale) do të manifestohej me deformitete e anomali shoqërore nga më të ndryshmet, por gjithmonë duke u përpjekur që ta rigjejë vetën në mesin e shoqërive të tjera nga të cilat do të paragjykohej, e paragjykohet edhe sot, por gjithsesi në masë më të vogël.

Me kalimin e kohës, shoqëria shqiptare po arrin që të këndellet nga e kaluara e zymtë e represive, shoqëria shqiptare po arrin të promovojë vlera model në këtë kohë kur shumë luftëra e beteja në botë zhvillohen duke u mbështetur në ndasi fetare. Mjafton të përmendim defilimin e gjithë klerit fetar shqiptar (mysliman, bektashi, katolik e ortodoks) bashkë me kryeministrin shqiptar në Paris, në shenjë respekti e nderimi për viktimat e aktit terrorist në revistën satrike “Charlie Hebdo”. Apo edhe vizitën e parë jashtë Vatikanit të Papës Francis në Shqipëri që e konsideroi këtë të fundit si vend model të harmonisë fetare. Të dyja këto ngjarje, patën gjithë vëmendjen e mediave botërore, duke prezantuar një shoqëri model para botës.

Në anën tjetër, Shqipëria me një popullsi shumicë të besimit myslimanë, është duke i dhënë hapësirë edhe ndërtimit të xhamisë më të madhe në Ballkan, e shumë e shumë xhamive të tjera (sikurse që duhet edhe Kosova të fillojë me ndërtimin e xhamisë ‘te Posta’, por edhe me rikthimin e identitetit të Prishtinës duke ia kthyer sinagogën që e kishte dikur) duke dëshmuar kështu  shoqërinë e hapur ndaj vlerave, besimeve e botëkuptimeve të ndryshme. Por, në anën tjetër, është pikërisht kjo trashëgimi tolerance e mirëkuptimi,  që kërkon natyrshëm të jetë e gravuar në çdo pore të jetës shoqërore, e edhe në birrën Tirana. Hallall Birrë.