Bindja e tyre për Prishtinën

Hashim Thaçi është i bindur për fitoren e Agim Çekut në Prishtinë. Thotë se Çeku do ta ketë mbështetjen e tij si Kryeministër. Çeku thotë se po i rritet bindja për fitore nga dita në ditë.

Lajme

28/10/2013 13:06

Kandidati i PDK’së për Kryetar të Prishtinës, Agim Çeku, së bashku me kryetarin e partisë Hashim Thaçi kanë vazhduar sot takimet “dorë më dorë” me qytetarët. Pikënisja dhe përfundimi i ecjes së sotme ishte Lagjja Ulpiana.

Kryeministri Thaçi ka thënë se po hyjnë me bindje të plotë për fitoren në Prishtinë.

Ai e quajti Çekun si një menaxher të mirë dhe kryetar të ardhshëm të Prishtinës.

“Kryetari Çeku do ta ketë mbështetjen time të plotë si Kryeministër i vendit. Është jashtëzakonisht inkurajuese kjo mbështetje gjithnjë e më masive për Kryetarin Çeku, prandaj hyjmë me bindje të plotë për fitore në Prishtinë”.

“Unë edhe sot dëshiroj që t`i falënderoj qytetarët e Prishtinës për mbështetjen që po tregojnë për Kryetarin e ardhshëm të Prishtinës Agim Çekun, për njeriun e mirë, për menaxherin e mirë dhe Kryetarin e ardhshëm shumë të mirë”.

Sikur shefi i tij, ashtu edhe kandidati për Komunën e Prishtinës Agim Çeku është i bindur se do të triumfojë në zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Bindja ime që do ta fitojmë Prishtinën po rritet dita ditës në çdo takim me çdo qytetar”.

“Kjo është një formë e mirë e komunikimit me qytetarë. Unë i siguroj qytetarët se këtë formë të komunikimit me ta do ta vazhdoj edhe pasi të marr drejtimin e Prishtinës”.

“Do të jem pranë tyre, do t`i takoj çdo ditë, do të bisedoj me ta dhe do të bëj përpjekje që t`i zgjidh problemet dhe hallet e tyre”.