Bill Gates investon 100 milionë dollarë për gjetjen e shërimit nga alzheimeri

“Është problem i madh, problem në rritje në shkallë të një tragjedie – edhe për njerëzit që po mbijetojnë – është çmim i lartë”

Bota

14/11/2017 18:14

Bill Gates do të investojë 100 milionë dollarë nga pasuria e tij për hulumtime për të gjetur shërim nga dementia dhe alzheimeri.

Miliarderi themelues i Microsoftit ka thënë se do të dhurojë 50 milionë dollarë për Fondin për Gjetjen e Dementias, një fond i përbashkët përmes së cilit kërkohet gjetja e kurimit nga kjo sëmundje. Investimi do të ndiqet me 50 milionë dollarë të tjerë në disa kompani që po hulumtojnë për gjetjen e shërimit nga alzheimeri.

“Është problem i madh, problem në rritje në shkallë të një tragjedie – edhe për njerëzit që po mbijetojnë – është çmim i lartë”, ka thënë ai pas shifrave të fundit që tregonin rritje të këtyre dy sëmundjeve.

Pavarësisht dekadave të hulumtimeve shkencore, akoma s’është gjetur trajtim që e ngadalëson progresin e alzheimerit. Ilaçet aktuale vetëm lehtësojnë disa simptoma. Gates ka thënë se tani është optimist se do të gjendet një kurim edhe nëse do t’i duhen edhe dhjetë vjet.

“Ndoshta do të marrë edhe 10 vjet para se teoritë e reja të kenë mjaftueshëm kohë për të treguar sukses. Shpresoj që në dhjetë vjetët e ardhshme të kemi ilaçe të fuqishme, por është e mundur edhe që të mos arrihet”, ka shkruar ai në një postim në blogun e tij.

Dementia prek së paku 50 milionë njerëz në botë dhe pritet që deri më 2050 ky numër të rritet në 131 milionë njerëz.