Bill Cosby dënohet me burg për drogim dhe përdhunim

Komediani Bill Cosby është dënuar me tre deri në dhjetë vjet burg si pasojë e keqtrajtimeve seksuale.

ShowBiz

26/09/2018 08:11

Sipas mediave amerikane, ai gjatë procesit gjyqësor është etiketuar si një përbindësh seksual, që do të thotë se deri në fund të jetës duhet të këshillohet psikikisht dhe do të qëndrojë në listën e keqtrajtuesve seksualë, transmeton lajmi.net

Ky vendim u marrë pavarësisht që avokati i tij u arsyetua se për shkak të moshës 81 vjeçari nuk mund të jetë i rrezikshëm për rrethin.

Në muajin prill Cosby ishte shpallur fajtor për tri raste të keqtrajtimit seksual, gjegjësisht për drogim dhe keqtrajtim seksual.

Numri i përgjithshëm i femrave që e kanë akuzuar aktorin për përdhunim thuhet se është mbi 60-të, ndërsa psikologia Kristen Dudley ka thënë se Bill Cosby ka nevojë të pakontrolluar për keqtrajtimin e femrave të reja, ndërsa këtë e bën me ndihmën e fuqisë dhe prestigjit, dhe kjo gjë e rendit atë në kategorinë e ‘përbindëshit seksual’.

Kujtojmë se nëse Bill Cosby do ta marrë dënimin maksimal, do të jetë 91 vjeç kur të dalë nga burgu./Lajmi.net/