Bill Clinton, fitues i zgjedhjeve të 8 qershorit

Është koha që Qeveria dhe të gjitha institucionet e tjera të Kosovës, të bëjnë gjithçka që qytetarët e Kosovës të jetojnë më mirë.

Opinion

21/05/2014 16:38

It’s the economy, stupid.

Mbase nuk duhet të përkthehet fare fjalia e cila llogaritet që i solli fitoren Bill Clintonit në vitin 1992, në garën Presidenciale, me George Bushin.

Bushi në mandatin e tij të parë dhe të vetëm, fitoi ‘Luftën e Ftohtë’, hoqi qafe kërcënimin e apokalipsit bërthamor rus, bashkoi Gjermaninë dhe Evropën, dëboi Irakun nga Kuvajti, shpalli ‘Rendin e ri Botëror’  (me 11 shtator, 1991, koincidencë tepër e rëndësishme, kur dihet çfarë ndodhi me 11 shtator, 2001, në mandatin e parë të të birit të tij, George W. Bushit), dhe në fund, i humbi zgjedhjet prej një pretendenti fare të ri, 46 vjeçar, Guvernatorit të shtetit të vogël të Arkanzasit, Bill Clintonit.

Për Botën tjetër, fitorja e Clintonit ishte befasia më e madhe e shekullit.

Për Amerikën, ishte një zhvillim që ndërtohej i tëri në zotimin e Bill Clintonit që amerikanët meritojnë të jetojnë më mirë.

Kaq ishte e tëra.

Fushata për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 8 qershorit, në Kosovë, duket që në tërësinë e saj, së paku sipas rrjedhës së derisotme të saj, megjithëse ajo pjesa formale e fushatës nisë me 28 maj, do t’i kthehet mësimit kyç të vitit 1992, të Clintonit dhe të SHBA-së.

Në fakt, gjithmonë dhe gjithkund, me zgjedhje apo pa zgjedhje, tema themelore e një shoqërie, e cila dyzohet me atë të sigurisë bazë për të gjithë qytetarët e një vendi që ka territor, kufij, rend dhe qeveri të njohur  (kështu zatën definohet shteti), është ekonomia.

Pa ekonomi, nuk ka mirëqenie, nuk ka punësim, nuk ka stabilitet social.

Pa ekonomi pra, nuk ka qëndrueshmëri të një shteti.

Kaq është e tëra. Pra.

Megjithatë, në Kosovë, për shkaqe të njohura për secilin prej nesh, ka qenë e pamundur që zgjedhjet, qofshin ato lokale apo nacionale, të mos jenë thuaja kryekëput ‘politikë e lartë’, deri në këto dy vitet e fundit.

Aq gjatë ishte bërë lufta për liri dhe për bërjen e shtetit të Kosovës, saqë do të ishte iluzion të mendohet që politika kosovare, nuk do të jetojë edhe një kohë prej këtyre dy arritjeve sipërore të Kosovës, apo, prej ‘dividendave politike’, të çlirimit dhe shtetkrijimit, duke synuar të përkthejë votën e qytetarëve në fitoren e merituar sipër kontributit që është dhënë për t’i bërë qytetarët e Kosovës shtetas të një Republike të pavarur.

Prej vitit të shkuar, nga përvoja e zgjedhjeve lokale të bëra në vjeshtën e kaluar, u kuptua që tash e tutje, qytetarët e Kosovës, me të drejtë, votën e tyre do ta orientojnë në bazë të ofertës konkrete për një jetë më të mirë të tyre, në komunë dhe në Kosovë.

Tek e fundit, nuk është obligim i qytetarëve të thjeshtë të vendit, ta integrojnë Veriun, t’i normalizojnë raportet e Kosovës me Serbinë, ta ndjekin krimin, ta luftojnë korrupsionin, të garantojnë sovranitetin e Kosovës në Rendin Ndërkombëtarë, etj. etj.

Të gjitha këto çështje, dhe shumë të tjera, janë në mandatin e Presidentit, të Kuvendit, të Qeverisë së Kosovës, të të gjitha institucioneve të tjera të këtij shteti.

Qytetari duhet të zgjedhë atë që do t’i prijë institucioneve për një mandat, e ai/ ata që vihen në ballë të tyre, duhet të punojnë çdo ditë në mbrojtje të interesave të shtetit dhe të qytetarëve të tij.

Kaq  e thjeshtë është.

Duhet të pranohet që qytetari i rëndomtë i Kosovës, ka pasur tej mase durim në vitet e kaluara.

Ai ka qenë i lumtur që e priti ditën e çlirimit dhe të shtetit.

Por lumturia e përditshme, ajo buka e përditshme, nuk sigurohet dot me kujtimet për një periudhë e cila na siguroi të jemi qytetarë të lirë dhe shtetas të Kosovës.

Secili shqiptar i Kosovës, deri pak vite më parë, ka ndjerë në vete, në familjen e tij, obligimin për të bërë gjithçka për vendin e vet. Dhe ai ka bërë gjithçka: Qoftë edhe duke sakrifikuar jetën për Kosovën.

Tani është koha që Qeveria, në radhë të parë, dhe të gjitha institucionet e tjera të Kosovës, të bëjnë gjithçka që qytetarët e Kosovës të jetojnë më mirë.

E çfarë jete të përditshme kanë këta qytetarë, kjo më së qarti vërehet prej vetë shkallës së premtimeve që kanë marrë dhenë ditëve të fundit.

Nuk do të duheshin premtime të këtij lloji, sikur gjendja sociale në Kosovë të ishte çfarë do të duhej të ishte.

Kaq qartë është puna.

(Autori është Nënkryetar i AAK-së dhe kolumnist i rregullt i lajmi.net)