Bilanci negativ tregtar, pasojë e mos stimulimit të prodhimeve vendore

Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë për një rënie të lehtë të importeve, por që kjo rënie nuk arrin të përmirësojë deficitin e lartë tregtar që ka Kosova tani e shumë vite më parë. 

Lajme

25/06/2014 19:44

Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, importet kosovare kapin shifrën rreth 500 milionë euro, përderisa eksporti vazhdon të mbetet mjaft i ulët, duke arritur në rreth 70 milionë euro.

Ekspertët e çështjeve ekonomike këto të dhëna i konsiderojnë mjaft shqetësuese.

Mejdi Bektashi, profesor i ekonomisë në UP-së, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se Kosova nuk mund të vazhdojë më trendin e njëjtë edhe në vitet e ardhshme, pasi që kjo do të ndikojë në ngufatjen e ekonomisë vendore.

“Vlera e eksportit është shumë e ulët, ku kryesisht kemi eksport të metaleve të Ferronikelit dhe të disa produkteve bujqësore, që nuk mbulon as 10 për qind të importeve të përgjithshëm në vitin 2014. Kjo është shumë serioze, Kosova nuk mund të vazhdojë me trendin e njëjtë edhe në vitet e ardhshme, sepse kjo do të ndikojë në ngufatjen e ekonomisë vendore”.

Kosova, tani e sa vite është shndërruar në treg konsumues, duke importuar mbi 80 për qind të produkteve të ndryshme.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, deficiti tregtar i mallrave në vitin 2013 arriti në mbi 2 miliardë euro.

Serbia vazhdon të jetë importuesi kryesor në Kosovë, pasur nga Gjermania, Turqia, Italia, Kina, Greqia, Maqedonia e vende të tjera.

Niveli i lartë i importeve, sipas Bektashit është pasojë e nivelit të ulët të prodhimit në Kosovë.

“Problemi kryesor qëndron në mos pasjen e prodhimit, respektivisht mos aktivizimit të kapaciteteve prodhuese, qoftë në sektorin primar apo atë industrial, që faktikisht po shkakton import shumë të madh të produkteve elementare në Kosovë”, tregon Bektashi. 

Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve në Kosovë fajin për deficitin e lartë tregtar ia hedhin institucioneve.

Sipas kryetarit të Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, politikat fiskale nuk kanë qenë asnjëherë në favor të prodhimtarisë.

“Politikat aktuale fiskale, të dizajnuara që nga pas lufta, janë të dizajnuara në mënyrën më të keqe të mundshme dhe si të tilla kanë rrezikuar nga viti në vit ekonominë e vendit me deficit të madh tregtar dhe varësi të konsumit nga importi, kjo e ka bërë që Kosova të jetë vend konsumues”, vlerëson Shahini.

Derisa politikat fiskale janë të njëjta sikurse për lëndë të parë, ashtu edhe për produkte të gatshme, nuk  mund të zhvillohet sektori i prodhimit.

\”Edhe pse ka pasur disa nisma për reforma të politikave fiskale në favor të prodhimtarisë vendore, këto nuk kanë qenë të mjaftueshme. Kosova varet nga importi i disa produkteve që mund të prodhohen brenda vendit”, tha Shahini.