Bilanci i tërmetit në Meksikë: 237 viktima dhe 1 900 të lënduar

Prioriteti në Meksikën e goditur të martën nga një tërmet i magnitudës 7,1 tani është shpëtimi i jetëve.

Bota

21/09/2017 15:09

Presidenti Enrique Pena Nieto u zotua për fokusim maksimal të vëmendjes në këtë drejtim, ndërsa sqaroi se ka pranuar ndihmën e disa vendeve të huaja, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara, Spanjën dhe Japoninë, përkrah shteteve të tjera të Amerikës Latine, të mësuara tashmë me fatkeqësi të tilla natyrore.

“Qeveria dhe e gjithë shoqëria jonë është përballur brenda më pak se dy ditësh me një interes dhe solidaritet masiv, pasojë e tërmetit që goditi pjesën qendrore dhe jugore të vendit. Përparësia jonë vazhdon të jetë shpëtimi i njerëzve dhe vëmendja mjekësore për ata që kanë nevojë. Deri tani, më shumë se 50 vetë janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat e ndërtesave të shembura në Mexico City. Ekipet e emergjencës po punojnë për gjetjen dhe shpëtimin e personave që ende rezultojnë të zhdukur në kryeqytet dhe në Puebla”, tha Presidenti i vendit.

Më shumë se 1 900 persona kanë marrë trajtim mjekësor vetëm në Mexico City, por shumica e tyre tashmë kanë dalë nga spitalet. Bilanci i vdekjeve nga lëkundjet e dhunshme të tokës është fiksuar aktualisht në 237. Ka një sërë godinash në kryeqytet të dëmtuara aq keq, sa rrezikojnë shembjen e po mbahen nën vëzhgim. Dëme strukturore mësohet të kenë pësuar më shumë ndërtesat ekzistuese përpara tërmetit shkatërrimtar të vitit 1985, pas të cilit u vendosën rregulla më të ashpra në sektorin e ndërtimit.

Punonjësit e shpëtimit janë në garë me kohën për nxjerrjen e të mbijetuarve nga gërmadhat e vëmendje e madhe i është kushtuar operacionit që po zhvillohet në një shkollë të Mexico City, ku është arritur të komunikohet me një 13-vjeçare të bllokuar, e cila mendohet se ka gjetur mbrojtje nën një tryezë. /TopChannel/