Bilall Sherifi: Të votosh për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, më shumë se hipokrizi

Përmes një postimi në Facebook, Sherifi ka thënë se ky mision është marrë vetëm me UÇK-në dhe nuk i ka hetuar e as nuk i ka gjykuar krimet serbe në Kosovë.

Lajme

17/06/2016 17:39

Anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi, ka kritikuar deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët në seancën e sotme po debatojnë për vazhdimin e mandatit të EULEX-it.

Përmes një postimi në Facebook, Sherifi ka thënë se ky mision është marrë vetëm me UÇK-në dhe nuk i ka hetuar e as nuk i ka gjykuar krimet serbe në Kosovë.

Lexoni postimin e plotë:

Kur dëgjon debatin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës për vazhdimin apo jo të mandatit të misionit të Bashkimit Evropian EULEX në Kosovë, të krijohet bindja se deputetët në shumicë absolute do të votojnë kundër vazhdimit të mandatit.

Fundja, kështu funksionon demokracia, për çdo çështje, së pari bëhet analiza e performancës, pastaj mbi bazë të analizës ndërtohet qëndrimi dhe si rezultat i tërë këtij procesi në fund bëhet edhe votimi.

E tash vlerësoni vet të nderuar miq, të thuash se ky mision nuk ka bërë asgjë për sundimin e ligjit, të thuash se ky mision ka vepruar me instruksione politike, të thuash se ky mision është marrë vetëm me UÇK-në dhe nuk i ka hetuar dhe gjykuar krimet serbe në Kosovë, se nuk i ka hetuar dhe gjykuar kriminelët që kanë kryer gjenocid mbi njerëz të pafajshëm, gra burra dhe fëmijë në Kosovë dhe në fund të votosh për vazhdimin e mandatit të tij është më shumë se hipokrizi.

Në çdo vend demokratik në botë, përfaqësuesit e popullit, të cilët mendojnë diçka, flasin diçka tjetër dhe në fund votojnë krejt diçka tjetër, në zgjedhjet e radhës padyshim që do të ndëshkoheshin nga  zgjedhësit e tyre.