BIK: Themelimi i ushtrisë forcon identitetin tonë shtetëror

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, përmes një deklarate për media, ka uruar transformimin në Ushtri të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Lajme

14/12/2018 13:39

Miratimi i ligjeve për FSK-në që e shndërroi atë edhe praktikisht në ushtri, për Kosovën e popullin e saj paraqet një ndër momentet më të rëndësishme në historinë tonë më të re. Me themelimin e Ushtrisë së Kosovës, përveç që realizohet një ndër idealet e dëshmorëve tanë, vihet në vend një e drejtë e mohuar deri tash për shtetin dhe popullin tonë. Po ashtu, me themelimin e Ushtrisë, forcohet identiteti ynë shtetëror, si dhe mbrohet e avancohen sovraniteti e integriteti i vendit.

FSK-ja me misionin që ka marrë nga Kuvendi i Kosovë, si dhe me mbështetjen e marrë nga aleatët tanë strategjikë, përveçqë do të jetë garantuese dhe mbrojtëse e sovranitetin dhe integritetit të vendit, gjithsesi do jetë një faktor stabiliteti në rajon dhe më gjerë. Po ashtu Ushtria e Kosovës do jetë edhe partnere e aleate e NATO-s për ruajtën dhe garantimin e paqes dhe sigurisë në botë.

Në këtë ditë të veçantë për Kosovën, edhe një herë përkujtojmë dëshmorët e vendit, urojmë e përgëzojmë popullin e institucionet e Kosovën, urojmë ushtarët, oficerët dhe nënoficerët e parë të Ushtrisë së Kosovës, si dhe falënderojmë sinqerisht aleatët tanë që mbështetën e përkrahën themelimin e ushtrisë së vendit tonë.

Zoti e bekoftë Ushtrinë tonë, Zoti e ruajttë vendin tonë!

/Lajmi.net/